Interesi i qytetarëve, kurbani i radhës në altarin e Foltores

“Në këto zgjedhje nuk vuloset vetëm fati i këtij qyteti, por fati i të gjithë opozitës së vërtetë shqiptare. 6 Marsi është më shumë se zgjedhje lokale, më shumë se zgjedhje parlamentare. 6 Marsi është referendum.” Kështu i përkufizoi zgjedhjet e pjesshme lokale kandidati i koalicionit Berisha-Meta në Shkodër.

Duke thënë këtë, ai i bëri jehonë një teze qëndrore të fushatës së Berishës për të marrë nën kontroll PD-në: kjo luftë është për të shpëtuar pluralizmin dhe për sovranitetin e vendit. Po aq sa lufta për interesa politike brenda një partie mund ta shpëtojë sovranitetin e një vendi, aq edhe zgjedhjet për Bashkinë e Shkodrës, Vorës apo Durrësit mund të jenë një referendum mbarëkombëtar për shpëtimin e opozitës së vërtetë.

Megjithatë, ky përkufizim i 6 Marsit nga kandidati i aleancës Berisha-Meta thotë një të vërtetë edhe më të dukshme: për këtë aleancë 6 Marsi është një instrument për të marrë kontrollin e PD, jo një përpjekje për të kthyer pushtetin lokal në duart e qytetarëve dhe në shërbim të tyre. Që kjo të jetë më e mundur, duhet që PD të mos fitojë asnjë nga këto bashki.

Prandaj, fushatën po e bën vetëm Berisha – LSI-në apo PDK-në nuk i kemi parë në fushatë deri tani – prandaj nuk po përmenden emrat e baronëve lokalë të mafias dhe influencave ekonomike, prandaj i akuzuari kryesor i këtyre takimeve është Basha, jo Rama, as Dako. Me pak fjalë, ky është një raund i ri foltoresh për të marrë PD-në, jo bashkitë; një seri e re përpjekjesh për mbrojtur interesin personal, jo për interesin e qytetarëve.

Brengat e Berishës për demokratët, për zgjedhjet e lira, për pluralizmin janë hedhur pas krahëve. Në Dibër ai nuk përmend dot dosjen 184, sepse u ka paraqitur demokratëve si kandidat bashkëshortin e prokurores që shkatërroi dosjen dhe nxori të larë autorët e vërtetë të “tërmetit” elektoral të 2016. Në Durrës ai nuk akuzon dot Dakon për betonimin e trashëgimisë kulturore dhe shkrirjen e pushtetit me mafian, sepse nuk ka një ofertë më të ndryshme për ta.

Dështimi për të marrë PD-në me çdo çmim shpejt u konvertua në çmimin më të dhimbshëm të demokratëve: luftën për ta shkatërruar PD-në dhe për t’i lënë shqiptarët pa alternativë përballë Ramës. Ndaj s’ka përse ndokush pret që në këtë fushatë të ketë ndonjë xhep programor për qytetarët, apo ndonjë përpjekje për të përzënë prej 6 qyteteve organizatat e mafias të shkrira me partinë në pushtet.

Që në krye të herës, lëvizja Berisha ka dëshmuar karakterin e saj të lidhur ngushtësisht me interesin personal apo edhe politik të Sali Berishës. Në vend që të mbante vetë mbi supe barrën e provës së pafajësisë së tij dhe të mos e sillte në PD flakën e kësaj përplasjeje me ShBA-të, ai zgjodhi ta përdorte fuqinë politike të opozitës për t’u mbrojtur nga pasojat e shpalljes non-grata në aleatin kryesor të Shqipërisë dhe të djathtës.

Me të njëjtën logjikë, ai do të kishte korigjuar shumë nga sjellja e tij politike e muajve të fundit nëse pas shpalljes së zgjedhjeve të pjesshme do të dilte të bënte thirrje që të votoheshin kandidatët e PD dhe se ai do ta zgjidhte në rrugë brenda-partiake konfliktin e tij me Lulzim Bashën. Por këto bashki u duheshin kthyer qytetarëve dhe demokratëve, siç në shumicën prej tyre dominon elektorati i djathtë.

As fakti që mafia ka vite që kontrollon territorin dhe sektorë të rëndësishëm si ndërtimi në pjesën më të madhe të këtyre bashkive, nuk e bindi atë të mos e përçante votën e demokratëve. Kurrsesi! Ia bëri më të lehtë misionin të majtës që të aspirojë edhe bashki si Shkodra që nuk i mori dot as me votimet moniste të 2019.

Ndaj nuk do mend se në këto zgjedhje të pjesshme lokale, qytetarët e Shkodrës, Dibrës, Durrësit, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjës kanë vetëm një alternativë për menaxhimin e arsyeshëm të shërbimeve të tyre të përditshme: kandidatët e Partisë Demokratike. Të tjerët kanë halle të tjera, dikush incineratorët dhe mafian e ndërtimit e dikush tjetër pengimin e ardhjes së opozitës në krye të këtyre qyteteve.

Këta të dytët nuk duan të fitojnë bashkitë. Ata duan të mundin PD-në që të mbajnë ndezur flakën e përçarjes dhe konfliktit në opozitë. Qytetarët durojnë edhe një vit, siç kanë duruar 3 vjet apo 22 vjet nën pushtetin e mafias. Po këta, si nuk duruan dot 45 ditë për të mos i përdorur qytetarët si mish për top?

Exit mobile version