Interi është gati të bëjë një investim të rëndësishëm të dy talentëve italianë 16-vjeçarë. Është arritur marrëveshja me Xhenoan për transferimin e dy sulmuesve, Pietro Pelegri dhe Antoni Salsedo Mora, te zikaltrit.
Një operacion që pritet t’u kushtojë zikaltërve rreth 60 milionë euro. Për Pelegrin do të shpenzohen menjëherë 15 milionë euro, plus 15 të tjera si bonuse në bazë të paraqitjeve dhe golave, ndërsa për Salsedon do të shpenzohen 5 milionë euro dhe 25 të tjera si bonuse (të njëjta si ato të Pelegrit).
Pavarësisht arritjes së marrëveshjes, dy lojtarët do të qëndrojnë edhe një vit te Xhenoa. Shuma që do të paguajë Interi për Pelegrin (15 milionë euro) do të hyjë në histori si blerja më e shtrenjtë U- 16, duke lënë pas atë të Teo Uollokot (10.5 milionë euro).
Këtë marrëveshje midis dy ekipeve e ka pohuar edhe presidenti i Xhenoas, Enriko Preciozi, i cili ka thënë: “Marrëveshja ka më shumë shanse të mbyllet se sa të dështojë. Pelegri e Salsedo janë e ardhmja e futbollit italian”.