Në një realizim me dy pjesë, shërbimi korean i “Zërit të Amerikës” foli me një ish-zyrtar të lartë të Koresë së Veriut, tani në arrati, Ri Jong Ho, i cili për herë të parë jep intervistë publikisht që pas arratisjes më 2014.
Një ish-zyrtar i lartë i Koresë së Veriut thotë për shërbimin korean të “Zërit të Amerikës” (VOA korean) se, përpjekjet aktuale për të forcuar sanksionet ekonomike kundër regjimit komunist po japin efekt dhe me kalimin e kohës mund ta destabilizojnë regjimin e Kim Jong Unit.
“Nëse vazhdojnë sanksionet ekonomike, ato do të gërryejnë kontrollin e regjimit koreanoverior mbi pushtetin, do të krijojnë mundësi më të shumta për aktivitet ekonomik dhe do të nxisë korrupsion të formave të ndryshme dhe çrregullim në vend”, tha Ri Jong Ho në intervistën e parë publike që kur u arratis më 2014. “Lehtësimi i kontrollit qeveritar do të prekë themelet e sistemit udhëheqës”.
Komentet e tij bëhen ndërkohë që Presidenti Trump përgatitet për takimin e nivelit të lartë këtë javë me homologun koreanojugor, Moon Jae-in, ku pritet të diskutohet kërcënimi i përbashkët që paraqet regjimi koreanoverior dhe ambiciet e tij bërthamore.
Zoti Ri, i cili ka shërbyer në role të rëndësishme në disa agjenci qendrore, ka një karrierë mbi 30-vjeçare si ish-zyrtar që mbikëqyrte prodhimin dhe tregtimin e rezervave valutore të regjimit korean.
Për herë të fundit ai ishte në Dalian të Kinës, ku kishte detyrën e kreut të Korporatës Tregtare Korea Daehung Trading, e cila menaxhohet nga Zyra 39, një degë sekrete e qeverisë koreanoveriore. Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Zyra 39 drejton “aktivitete ekonomike të jashtëligjshme dhe menaxhon fonde që përdoren për afera korruptive dhe që gjenerojnë të ardhura për udhëheqjen”.
Sipas zotit Ri, ka parë nga afër përpjekjet e Phenianit për të mbështetur regjimin koreanoverior gjatë një urie të rëndë dhe krizës financiare të mesit të viteve 1990, kur Pheniani “ballafaqohej me presion të madh” bëhet “më sfidues” duke u përqendruar në zhvillimin e armëve.
Gjendja aktuale mund të jetë e ngjashme me situatën e viteve 1990, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar zgjeron sanksionet dhe udhëheqësi Kim vazhdon të demonstrojë publikisht programet e tij të armëve të avancuara.
Regjimi kreu një provë bërthamore dhe lëshoi disa raketa që nga fillimi i 2016. Ndërkohë që Koreja e Veriut nuk i ka fshehur ambiciet për të zhvilluar raketa balistike ndërkontinentale të afta për mbushje bërthamore që mund të godasin Shtetet e Bashkuara, zoti Ri tha se Pheniani e konsideron Korenë e Jugut si objektivin kryesor të një plani për sulm bërthamor.
Sanksionet godasin eksporte të rëndësishme minerare
Përpjekjet aktuale ndërkombëtare për të kufizuar tregtinë e Koresë së Veriut po dëmtojnë ekonominë koreanoveriore, e cila varet në një pjesë të konsiderueshme mbi eksportet minerare, thotë zoti Ri.
Rezerva minerare si qymyrguri dhe ferrokromi përbëjnë mbi 45% të eksporteve koreanoveriore, të cilat arrijnë në 3 miliardë dollarë në vit, sipas zotit Ri. Nën shqetësimin se ekonomia e vendit po varej së tepërmi vetëm tek një sektor, Pheniani vuri më 2008 një nivel tavan për deri në 5 milionë tonë qymyrguri për eksport në vit, thotë zoti Ri. Por kjo përpjekje dështoi pasi më 2013 Pheniani eksportoi dy herë më shumë se ajo sasi dhe më 2016 katër herë më shumë për të gjeneruar fonde shumë të nevojshme.
“Kjo tregon qartë se Koreja e Veriut po vuan mungesa në valutë”, thotë zoti Ri. “Çdo ndërprerje në tregtinë minerare do të kishte një ndikim të rëndësishëm jo vetëm tek popullata, por edhe tek udhëheqja koreanoveriore”.
Pezullimi tremujor i eksporteve të qymyrgurit pasoi ekzekutimin në fillim të 2014 të Jang Song Thaek, xhaxhait të udhëheqësit Kim. Ky është një shembull i një situate të tensionuar, shpjegon zoti Ri, kur pezullimi ndikoi jo vetëm sektorin minerar, por të gjithë sektorët ekonomikë, përfshirë edhe tregjet e vogla në Phenian.
Kur u pyet për njoftimet e fundit për rritjen e çmimeve të karburantit, zoti Ri tha “Ka shumë mundësi që sanksionet kanë ndërprerë importet e karburantit nga Kina për Korenë e Veriut”.
Si i sheh Kina sanksionet kundër Phenianit
Analistët e mbështesin qëndrimin e administratës Trump mbi rolin kritik që mund të luajë Kina në këtë çështje, por shumë prej tyre janë skeptikë lidhur me gatishmërinë e Kinës për të mbështetur sanksione në përgjigje të agresivitetit që ka dëshmuar Pheniani.
“Sanksionet që prekën sektorin e eksporteve minerare të Koresë së Veriut apo importet e naftës mund të ndikojnë tek politikat e Phenianit. Por nuk ka prova, në fakt ka prova që vërtetojnë të kundërtën – pra Pekini nuk mbështet vendosjen e embargos apo sanksioneve shtesë ndaj Koresë së Veriut”, tha për “Zërin e Amerikës”, Anthony Ruggiero, studiues në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, i cili më parë ka qenë zv/drejtor në Departamentin e Thesarit dhe ekspert në efektin e masave financiare.
Zoti Ri është i të njëjtit mendim: “Nuk mendoj se qeveria kineze do të vazhdojë të mbështesë politikat amerikane për sanksione kundër Phenianit, pasi synimet strategjike të Kinës ndryshojnë prej synimeve amerikane”.
Ai thotë se megjithë acarimin e kërcënimit koreanoverior, Pekini është i vetëdijshëm se nuk ka përfitime për Kinën nëse bie regjimi aktual në Phenian, ose nëse ribashkohet Gadishulli Korean, i cili ka shumë të ngjarë të futet nën influencën amerikane apo të kontrollohet nga koreanojugorët, thotë ai.
Zoti Ri u arratis në Korenë e Jugut në tetor 2014 dhe në mars 2016 erdhi në Shtetet e Bashkuara. Ai jeton në zonën e Uashingtonit me bashkëshorten dhe dy fëmijë.
Lidhjet mes blerësve koreanë me naftën ruse
Koreja e Veriut importon deri në 200,000-300,000 tonë naftë nga Rusia në vit, thotë zoti Ri. Kompani në Singapor, qendra aziatike e tregtimit të mallrave të konsumit, kanë vepruar prej mbi dy dekadash si urë lidhëse mes dy vendeve.
“Së pari arrihet marrëveshje me një kompani në Singapor, e cila më pas futet në kontratë me kompanitë ruse të naftës”, thotë zoti Ri.
Me përfshirjen e kompanive të respektuara në Singapor si ndërmjetësuese për të bërë biznes me kompanitë ruse, Koreja e Veriut arrin të marrë sasi nafte edhe përpara se të bëjë pagesat, thotë zoti Ri, i cili ka qenë i përfshirë në transportin e naftës ruse për në Phenian nga 1997-2005.
Duke pasur parasysh që trafiku i cisternave koreanoveriore të naftës vazhdon, ka gjasa që transaksionet mes Phenianit dhe kompanive në Singapor vazhdojnë, shton ai.
Moska nuk është e vetmja që i ofron naftë Phenianit, thotë zoti Ri.
Eksportet e Pekinit arrijnë në masën 50,000-100,000 tonë benzinë në vit përmes cisternave. Kina e furnizon Korenë e Veriut edhe me 500 mijë tonë naftë përmes tubacioneve, një sasi që përdoret për ushtrinë masive të udhëheqësit Kim, plotësisht falas.
“Nëse qeveria amerikane fillon të godasë importet e naftës, regjimi koreanoverior do të pësojë dëme të rënda”, tha zoti Ri. “Nëse ndalen plotësisht dërgesat e naftës nga Rusia dhe Kina, do të ndërpritet linja e jetës për regjimin koreanoverior”.
Presidenti Trump, i cili e konsideron Pekinin si çelësin për zgjidhjen e kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut, ka folur për nevojën e një angazhimi më të madh nga Kina.
Gjatë bisedimeve të javës së kaluar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës lidhur me çështje të sigurisë, dy vendet rikonfirmuan angazhimin e tyre për “të zbatuar plotësisht të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurimit në lidhje me këtë temë”, siç u shpreh sekretari i Shtetit, Rex Tillerson.