Tani është zyrtare Stevan Jovetiç lë Interin për ta vazhduar te Sevilja gjysmën e dytë të sezonit. Sulmuesi malazez do të huazohet me të drejtë blerjeje përfundimtare për 14 milionë euro në verë.
Në konferencën e prezantimit, 27-vjeçari tha se një rol të rëndësishëm në vendimin për t’iu bashkuar ekipit spanjoll pati edhe ish-shoku i tij te Mançester Siti, Samir Nasri, i cili i tha se Sevilja është një klub i mirë.
Jovetiç është përforcimi i dytë i andaluzianëve në merkaton e janarit, pas mbrojtësit Klement Lenglet që u ble për pesë milionë euro nga francezët e Nensit.
Stevan Jovetiç ra në sy të Seviljes që kur luante me Partizanin e Beogradit në një turne të rinjsh në gusht 2006 në Albasete të Spanjës, por klubi nuk mundi të siguronte dot shërbimet e tij.
Lojtari la skuadrën serbe për t’iu bashkuar Fiorentinës, më pas te Mançester Siti para se Interi ta rikthente në Itali në verën e 2015-s. Ai e nisi mbarë aventurën me zikaltrit, por nuk mundi të gjente hapësira në formacion gjatë këtij sezoni.