Trump mban konferencën e parë për shtyp

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump mban konferencën e parë për shtyp në gati gjashtë muaj dhe ai do të përballet me pyetje rreth raportit të shërbimeve të zbulimit që thotë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale që ai i fitoi në nëntor. Ai gjithashtu ka në plan të flasë edhe për konfliktet e mundshme të interesit që përfshijnë bizneset e tij.
Konferencën e fundit për shtyp në korrik të vitit të kaluar, ai e filloi me kritika të forta ndaj kundërshtarit demokrat, zonjës Hillary Clinton për mungesë të konferencave për shtyp me gazetarët.
“Kanë kaluar 235 ditë që kur mashtruesja Hillary Clinton ka dhënë një konferencë për shtyp”, tha zoti Trump në atë kohë.
Shumica e presidentëve të Amerikës kanë dhënë konferenca për shtyp brenda pak ditësh pas fitimit të zgjedhjeve. Ndërsa Trump ka qenë aktiv në rrjetin social Twitter dhe ka bërë deklarata të shkurtra gjatë procesit të përgatitjeve të tij për të marrë detyrën më 20 janar, ai zyrtarisht nuk ka dhënë konferencë shtypi me pyetje dhe përgjigje për gazetarët.
Ai fillimisht kishte planifikuar të mbante një konferencë shtypi në mes të dhjetorit, ku do të diskutonte mbi hapat për të hequr dorë nga bizneset e tij në përpjekje për të shmangur konfliktin e interesit, por më vonë vendosi ta shtynte konferencën. Trump ka një portofol të gjerë biznesi në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit që ka ngritur pyetje mbi mënyrën se si ai do t’i menaxhojë bizneset e tij pasi të fillojë detyrën si president i vendit.
Zoti Trump pritet të përballet me pyetje rreth pretendimeve se Rusia ka mbledhur informacione mbi të që në të ardhmen mund të përdoren kundër tij dhe njoftimet se anëtarë të personelit të fushatës së tij kanë bashkëpunuar me shërbimet ruse të zbulimit për ta ndihmuar atë të fitojë zgjedhjet. Donald Trump, avokati i tij dhe një zëdhënës i presidentit rus i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke i quajtur ato të rreme.

Exit mobile version