Është vetëm 20 vjeç, por pritshmëritë mbi të janë maksimale. Gabriel Barbosa “Gabigol” u prezantua dje para gazetarëve për aventurën e re me Interin. Sulmuesi i kombëtares braziliane pranon se ka refuzuar miliona nga Kina, por edhe klube të tjera, duke zgjedhur zikaltrit që, sipas tij, janë klubi më i madh në Itali. Në konferencën e parë për shtyp, ai komenton mbi telefonatën e parë me trajnerin Frank de Bur, raportin me Ikardin, këshillat nga miqtë brazilianë dhe planet që ka me gjigantët e Serisë A…
-Dje Ronaldo mbushi 40 vjeç. Ka diçka që të lidh me të? Ju ka ndihmuar për të bërë zgjedhjen?
Jam shumë i lumtur. Është një ditë speciale për mua. Nuk më pëlqejnë krahasimet, pasi unë jam Gabriel Barbosa. Interi është një klub i madh dhe dua të bëj histori me këtë fanellë.
-Këto muaj do të shërbejnë për t’u ambientuar, apo dëshironi të jeni menjëherë protagonist?
Interi ka qenë gjithnjë zgjedhja ime e parë, pavarësisht ofertave. Më ka bindur projekti, skuadra dhe stafi teknik. Për mua ka rëndësi që t’u jap një dorë shokëve të ekipit që të fitojmë në çdo kompeticion.
-Kush do t’ju qëndrojë pranë në Milano? Do ndiqni stërvitje të personalizuar?
Kam familjen dhe miqtë e mi. Për mua është një ndryshim i madh dhe kam disi nevojë për kohë. Kam marrë me vete edhe një fizioterapist që më ndjek. Jam i ri në moshë, duhet të kem shumë kujdes. Ndihem me fat që Interi më ka dhënë kohën e duhur në dispozicion për të pushuar dhe për t’u përqendruar mbi të ardhmen.
-Në ekipin që fitoi tripletën kishte edhe futbollistë brazilianë. Dëshironi të jeni i suksesshëm si ata? Çfarë i duhet këtij Interi?
Ajo ishte një tjetër epokë, ku kishte futbollistë të mëdhenj që jepnin gjithçka në fushën e lojës. Kjo është edhe ajo që dua të bëj unë, duke dhënë më të mirën time. Gjithsesi, në skuadër ka edhe brazilianë të tjerë shumë cilësorë si Miranda dhe Felipe Melo.
-Mund të na thoni se cili është pozicioni juaj i preferuar dhe a keni folur me ndonjë brazilian tjetër për të treguar se çfarë klubi është Interi?
Kutinjo më ka folur shumë mirë për Interin dhe më bëhet qejfi që Ronaldo më ka uruar. Mund të luaj ku të dëshirojë trajneri, pasi përshtatem lehtësisht. Po pres me padurim që të debutoj.
-Keni folur me De Bur se ku planifikon që të të aktivizojë?
Bisedën e parë e kemi zhvilluar në telefon dhe ka qenë me të vërtetë e rëndësishme. Ekipi është duke luajtur mirë dhe nuk mendoj se është çështja te pozicioni im, por te vazhdimësia e ecurisë pozitive.
-Disa javë më parë thatë se refuzuat një ofertë nga një klub kinez. Interin e shikoni si një trampolinë për një hap tjetër?
Kam pasur një ofertë shumë të lartë ekonomike, por sot jam në një klub të madh. Jam mahnitur nga mbështetja e tifozëve dhe u premtoj se do të jap maksimumin tim për të fituar mbështetjen e tyre gjatë gjithë kohës.
-Keni folur me Ikardin? Mund të ishte një partner i mirë sulmi me të?
Interi nuk ka vetëm Ikardin, por edhe shumë sulmues të tjerë cilësorë. Ikardin e kam ndjekur nga jashtë, shënon gjithnjë. Ajo që ka vlerë është kontributi i gjithsecilit në ekip.
-Kur mësuat për herë të parë për interesimin e Interit? Cilat ishin skuadrat e tjera?
Interi ka qenë vërtet zgjedhja ime e parë, pasi më kanë joshur edhe thirrjet e tifozëve nëpërmjet rrjeteve sociale. Me gjithë respektin, jam shumë i lumtur që erdha në klubin më të madh të Italisë.