Leo Mesi i ka vënë vetes si objektiv takimin me Guardiolën. Barcelona dhe ylli argjentinas po punojnë që Mesi të jetë në kondicione perfekte për ndeshjen e Championsit mes katalanasve dhe Manchester City-t që drejtohet nga Guardiola, takim që do të luhet në “Camp Nou”, të mërkurën e 19 tetorit. Mjekët kanë përcaktuar kohën e nevojshme të rikuperimit prej 3 javësh, që përmbushen një ditë para këtij takimi. Mesi do të humbasë me siguri të plotë tre ndeshjet e ardhshme të Barcelonës, përballë Sporting Gijon, Borussia Myenchangladbach dhe Celta Vigo. Futbollisti nuk do të luajë edhe në ndeshjet e Argjentinës me Perunë dhe Paraguajin.
Vetë Mesi deklaroi nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, se do të rikthehet më i fortë, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë dërguar mesazhe inkurajuese, duke përfshirë këtu dhe Borusia Meynchengladbach, që i uroi të kthehet sa më shpejt në fushën e blertë. Mbetet për t’u parë nëse do t’ja dalë të luajë ndaj Deportivo la Corunas takim që daton në kufirin e tri javëve. Luis Enrique dhe vetë futbollisti do të vendosin nëse mund të aktivizohet në këtë ndeshje nëse rikuperimi do të ketë vijuar normalisht. Trajneri mund t’i japë disa minuta për të përforcuar gjendjen e tij fizike, në mënyrë që të jetë në kushte optimale për përballjen me Manchester City-n, ku Enrique do të ketë nevojë për Mesin për 90 minutat e lojës.