Objektivi i sezonit, që ishte renditja në një nga tre vendet që të çojnë në Ligën e Kampioneve duket i paarritshëm tashmë, por ky duket se nuk është problemi i vetëm për skuadrën e Interit. Së fundi lindi edhe një histori spiunazhi. Sipas asaj që shkruan e përditshmja italiane “La Repubblica”, drejtori i Përgjithshëm i zikaltërve, Michael Bolingbroke u ka kërkuar të gjithë vartësve të tij “të bëjnë sytë katër” dhe të tregojnë kujdes maksimal kur të diskutojnë për sekretet e klubit.
I gjithë ky udhëzim i tij, sipas të njëjtave burime, është bërë pasi ka gjetur nën tavolinën e tij një çimkë përgjuese. Rasti brenda klubit po merret me seriozitetin maksimal dhe po hetohet për gjetjen e “spiunit” edhe pse dikush brenda kampit mund ta ketë marrë me sportivitet këtë. Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, presidenti Thohir dhe grupi “Suning” pritet të takohen së shpejti. Në tavolinën e bisedimeve janë 20 për qind të aksioneve të skuadrës dhe siç thonë mediat sportive italiane, negociatat janë në fazë të avancuar.
Ndërkohë, Milan dhe Carpi ndahen në një barazim pa gola mes tyre, ashtu si në fazën e parë vetëm se këtë herë në “San Siro”. Një pikë me vlera për Carpin që kërkon shpëtim në fund tabele përballë një Milani që në fund u vërshëllye dhe nga publiku i tij, duke dhuruar një 90 minutësh pa shumë emocione për të pranishmit në stadiumin e Milanos. Në një sfidë që vlente më shumë për Carpin sesa për Milanin sa i përket objektivave ishin kuqezinjtë që udhëhoqën ritmin, pavarësisht se pjesa e parë nuk rezervoi ndonjë rast të jashtëzakonshëm nga milanezët, që gjithsesi në pjesën e parë nuk u vunë asnjëherë në vështirësi nga miqtë.
Në pjesën e dytë, loja u balancua disi me Carpin që rrezikoi në minutën e 48-të me anë të Mbakogu, ndërsa Milani në krahun tjetër pa t’i anulohej një gol me Jose Maurin në minutën e 65-të. Gjithsesi Carpi në nevojë për pikë për qëndrimin në Serinë A u hap disi duke lënë hapësira pas për vendasit, që iu afruan golit sërish me Jose Maurin që në të 74-trën nuk shfrytëzoi siç duhet një pasim të Abates. Gjithsesi rastin e ndeshjes e pati Carpi në minutën e 90-të me Donnarumën që bëri një pritje të jashtëzakonshme, duke i mohuar golin e 3 pikëve miqve, që do të ishin aq të nevojshme për skuadrën mike për të prekur shpëtimin.