Juventus mendon për sezonin e ri

Me titullin e 5 kampion radhazi thuajse të arkivuar, në shtëpinë e Juventusit kanë nisur të mendojnë për sezonin e ardhshëm. Për të fituar edhe në Europë bardhezinjtë duhet të ruajnë grupin aktual dhe të përforcohen me të tjerë elementë cilësorë, edhe pse më e rëndësishme për “Zonjën e Vjetër”, aktualisht është të mbajë në skuadër xhevahirët e saj. Duke filluar nga Paul Pogba për të vazhduar me Paulo Dybalan dhe Alvaro Moratën. Për këtë të fundit po flitet shumë se Reali i Madridit do të riblejë kartonin e tij për shumën e 30 milionëve euro siç është përcaktuar në kontratë, megjithatë te Juventusi nuk dorëzohen dhe pas 20 milionë eurove fillestare janë gati t’i ofrojnë klubit Blanco, 25 milionë euro të tjera për të bërë përfundimisht të tyrin sulmuesin spanjoll. Pavarësisht ofertave edhe Paulo Dybala do të qëndrojë.
Një objektiv i bardhezinjve për sulmin është edhe Edinson Cavani, por uruguaiani kushton me të vërtetë shumë. Përsa i përket francezit Paul Pogba drejtuesit e Juventusit me kërkesë edhe të trajnerit Massimiliano Allegri mund të refuzojnë edhe shumën e çmendur që kap shifrën e 100 milionë eurove për të mbajtur në skuadër 23-vjeçarin. Për mesfushën Juventusi pëlqen disa lojtarë si Isco, Mkhitarayn e Kante, por kjo nuk do të thotë se kampionët e Italisë do të heqin dorë nga Pogba. Në mbrojtje objektivi i klubit bardhezi është t’i blindojë të gjithë, përfshirë këtu edhe Leonardo Bonuccin, ndërsa drejtuesit kanë hedhur sytë nga Benatia dhe Hummels.
Titulli i 5 kampion radhazi në Serinë A është vetëm 1 fitore larg për Juventusin. Juventus të dielën luan në transfertën delikate të Firenzes kundër Fiorentinës dhe në rast të një rezultati pozitiv, e vetmja gjë që i mbetet të bëjë është të ulet përpara televizorit dhe të ndjekë pa kurrfarë shqetësimi takimin mes Romës dhe Napolit. Festa mund të nisë më 25 prill, por nëse avantazhi vazhdon të mbetet në kuotën e 9 pikëve, atëherë do të ketë shtyrje të zyrtarizimit të titullit. Nëse 25 prilli nuk do të jetë data e shumëpritur, tifozëve të Juventusit do t’u duhet të presin datën 1 maj në takimin kundër Carpit. Sidoqoftë një gjë është e sigurt, titulli i pestë kampion qëndron pas derës dhe “Zonja e Vjetër” mjafton të presë kohën e duhur për të nisur festën bashkë me tifozët e saj në sheshin qendror të Torinos.

Exit mobile version