Interi synon një goditje të madhe

(ROSLAN RAHMAN/AFP/Getty Images)

Interi synon të bëjë një goditje të madhe, para përfundimit të kësaj merkatoje. Emri më i fundit, i shfaqur në listën e dëshirave të trajnerit Luciano Spalletti, është ai i Julian Draxler të PSG. Sulmuesi gjerman me ardhjen e Neymar pritet të qëndrojë në hije, në “Parc des Princes”. Për këtë, klubi zikaltër mendon t’i paraqesë ofertë parizienëve. Draxler kërkohet edhe nga Borussia Dortmund e Barcelona.
Nikola Kaliniç pritet të veshë shumë shpejt fanellën e Milanit. Konfirmimi vjen nga Administratori i Deleguar, Marco Fassone, i cili në një intervistë për mediat italianë zbuloi se bisedimet mes kuqezinjve dhe Fiorentina-s për lojtarin janë në fazë të avancuar. Nga ana tjetër te klubi vjollcë mendojnë edhe për përforcime, pasi kanë siguruar nga Real Betis shërbimet e German Pezzella, që vjen në formë huazimi me të drejtë blerjeje të kartonit.
Duket se ka arritur drejt fundit aventura e Marco Borriello te Cagliari. Marrëdhënia e sulmuesit me trajnerin Massimo Rastelli është thyer plotësisht dhe lojtari është gati të kërkojë largimin nga kuqeblutë. Spal është skuadra që interesohet për shërbimet e tij, por edhe Bologna e Genoa janë alternativa të pëlqyeshme nga vet sulmuesi 35-vjeçar.
Chelsea këmbëngul për Alex Sandro, por Juventusi nuk ka ndërmend ta shesë brazilianin. Trajneri i bardhezinjve, Alegri tregohet i qartë teksa flet për të ardhmen e mbrojtësit. Tekniku italian tha se 26-vjeçari dëshiron të qëndrojë dhe klubi i ka refuzuar të gjitha ofertat në drejtim të tij. Nga ana tjetër në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër” po punojnë për blerjen e Ezequiel Garay nga Valencia.
Juventusi do të bëjë të tjera goditje në merkato. Emrat më të lakuar në shtëpinë e bardhiznjve janë ata të Renato Sanches e Kevin Strootman. Në Torino, preferojnë më shumë holandezin, por nuk do ta kenë të lehtë, duke qenë se Roma e konsideron të pashitshëm. Më i lehtë është operacioni për portugezin e Bayern Munich.

Exit mobile version