Investimet e huaja vijojnë pikiatën, rënie me 12 %

Investimet e Huaja Direkte kanë shënuar një rënie prej 11.6% në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke rezultuar 418 milionë euro, sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë. Rënia i dedikohet tërësisht performancës negative të tremujorit të parë, kur ato zbritën me 40% në 157 milionë euro. Në tremujorin e dytë, investimet janë përmirësuar, duke u rritur me 245 në 261 milionë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, prurjet në formën e investimeve direkte, janë të përqendruara në sektorin e energjetikës (me rreth 60%), hidrokarbureve (në masën 15%), ndërmjetësimit financiar (në masën 10%), ndërtimit (në masën 4%), dhe në sektorin e telekomunikacionit (me 2%). Ndërkohë që rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës, raporton Banka e Shqipërisë. Përmirësimi i investimeve në tremujorin e dytë ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e punimeve për HEC-in e Devollit, një nga projektet energjetike më të mëdha në vend, dhe gazsjellësin TAP, i cili filloi vendosjen e tubave në pjesën e parë të vitit.
Këto dy investime të mëdha të pritshme në sektorin e energjisë kanë neutralizuar efektin negativ të rënies së investimeve në hidrokarbure, që deri vitin e kaluar përbënin 40% të totalit. Në tremujorin e parë ishte pikërisht rënia e shpenzimeve kapitale në hidrokarbure, që çoi në tkurrjen e thellë të Investimeve të Huaja Direkte.

Investimet në energjetikë

Projekti Hidroenergjetik i Devollit përbëhet nga tre hidrocentrale me një kapacitet të instaluar prej përafërsisht 280 MW. Mesatarisht HEC-et do të prodhojë rreth 800 GWh në vit, duke ndikuar në rritjen e prodhimit shqiptar të energjisë elektrike me rreth 20 për qind. Teksa punimet kanë vazhduar për HEC-in e Banjës dhe Moglicës, vendimi për ndërtimin e HEC-it të tretë do të merret pasi të kenë përfunduar njëri ose të dy HEC-et e para. Totali i investimeve në 535 milionë euro.
Megjithatë, biznesi vendas është duke përfituar shumë pak nga nënkontraktimi i punimeve në projektet e mëdha të gazsjellësit TAP dhe Devoll Hydropower. Kompania e energjisë norvegjeze Statkraft AS, që po ndërton hidrocentrale, ka nënkontraktuar pesë operatorë për ndërtimin e të paktën dy hidrocentraleve në kaskadën përgjatë lumit Devoll, nga të cilët vetëm një,  Doko sh.p.k me qendër ne Elbasan, është shqiptar, të tjerët janë të huaj.
Edhe projekti TAP, pjesën më të madhe të nënkontraktorëve, por edhe punonjësve, i ka të huaj.

Exit mobile version