Sigurimi i makinave, tarifat e larta, peng i monopolit

“Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të ligjit në mënyrë konsistente, është shprehur se në mënyrë absolute, shoqëritë shkelin ligjin për mbrojtjen e konkurrencës nëse nuk vendosin tarifa bazuar në politikat e tyre individuale”, pohon në një intervistë të posaçme për “Monitor”, Prof. Dr. Lindita Milo (Lati), kryetare e Autoritetit të Konkurrencës. Ajo shton se në ditët e sotme, tregu i sigurimeve vuan mungesën e konkurrencës, si shkak i moszbatimit të rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës të adresuara në mënyrë sistematike për disa vite me radhë, si dhe rrëzimi i gjobave të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës nga ana e gjykatave, ndërsa shton se ky treg ka probleme prej mëse 10 vjetësh. Sipas saj zbatimi i sistemit Bonus–Malus (caktimi i tarifës në bazë të historikut të aksidenteve), i cili do të gjeneronte konkurrencë në treg. Ky sistem duhet të fillonte të zbatohej që në janar 2015, por nuk është vënë ende në funksion. Lati pohon se nga një hetim në këtë treg në mesin e vitit 2014 u konstatua se Autoriteti Mbikëqyrës, duke dashur që të ushtronte kontroll mbi raportimet online të shitjeve të policave të sigurimit pati ndërtuar një sistem, tek i cili gjenerohej i gjithë informacioni. Ky sistem u konsiderua si një mundësi që kishin shoqëritë të ndanin informacione mbi shitjet dhe për të kontrolluar pjesët e tregut të njëra-tjetrës. Ajo shton se Autoriteti i Konkurrencës adresoi përmes vendimeve nr. 324 dhe 325, datë 30.07.2014, të gjitha detyrimet e shoqërive të sigurimeve, si dhe rekomandimet e adresuara ndaj AMF-së si autoriteti rregullues, zbatimi i të cilave do të mundësonte që sot tregu të ishte më eficient.

– Ka pak më shumë se një dekadë që problemet me tregun e sigurimit të detyrueshëm përsëriten dhe nuk po gjejnë zgjidhje?
Problemet me tregun e sigurimeve, duke iu referuar edhe ndërhyrjeve të Autoritetit të Konkurrencës kanë më shumë se 10 vjet. Vendimi i parë i Autoritetit daton në dhjetor të vitit 2005, ku Komisioni i Konkurrencës i kërkonte Ministrisë së Financës dhe Byrosë shqiptare të Sigurimeve ndërprerjen e marrëveshjes për përcaktimin dhe shitjen e policës së sigurimit kufitar, e cila përcaktonte tarifën e shitjes, si dhe ndante tregun midis shoqërive të sigurimit. Më pas, në janar të vitit 2007, duke marrë në konsideratë të gjitha shqetësimet, për të gjitha llojet e produkteve të sigurimeve, përfshi këtu edhe policën e MTPL-së së brendshme, Komisioni i Konkurrencës vendosi të hapte hetim të thelluar. Shoqëritë e sigurimit e ankimuan këtë vendim të Komisionit në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, e cila u shpreh se Autoriteti i Konkurrencës nuk kishte të drejtë të realizonte procedura hetimore në këtë treg. Ndërkohë, Komisioni i Konkurrencës nxori vendimin në lidhje me rregullimet që duhet të ndodhnin ose që duhet të bashkëshoqëronin shitjen e produktit të policës kufitare. Si rrjedhojë, në zbatim të vendimit të gjykatës, Autoriteti i pezulloi procedurat e tij, duke ngritur shqetësimin në të gjithë piramidën e sistemit të drejtësisë.
Në mënyrë të vazhdueshme, Autoriteti i Konkurrencës ka realizuar disa tryeza diskutimi me Bordin e AMF-së, në të cilat janë diskutuar mbi instrumentet që duhet të përdoreshin për mirëfunksionin e këtij tregu, si dhe të mund të gjeneronin një konkurrencë qoftë edhe minimale për produktin e MTPL-së së brendshme dhe që do t’i jepnin disi një frymëmarrje tregut. Thuhet minimale, sepse dihet që tarifa fundore e sigurimit bëhet kryesisht nga primi bazë i rrezikut (i cili miratohet nga AMF-ja) plus shpenzimet operative që zënë 18-20% të çmimit. Kjo do të thotë se në rreth 80%, tarifa fundore e primit të sigurimit përbëhet nga një pjesë e “ngurtësuar”, e cila përcaktohet nga AMF-ja. Primi bazë i rrezikut i përllogaritur dhe që duhej zbatuar nga të gjitha shoqëritë e sigurimit ishte i njëjtë për të gjitha shoqëritë. Në takimet që ne kemi pasur në atë kohë (2008–2010) ne jemi vënë në dijeni për projektin e Bankës Botërore, e cila parashikonte që konkurrenca edhe në produktin e sigurimeve do të mundësohej nga sistemi Bonus–Malus. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Komisioni i Konkurrencës, në pritje të vendimit final mbi atë që kishte marrë Shkalla e Parë e Tiranës, kërkonte që ky sistem të vihej sa më shpejt në funksion. Bazuar në amendimet e Ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që u miratuan në vitin 2011, tregu i liberalizua dhe u konstatua se shoqëritë realizonin aplikime individuale për përllogaritjen e primit të rrezikut pranë AMF-së. Por, sërish shqetësimet që erdhën nga media identifikuan faktin se shoqëritë e sigurimit vepruan në “bllok” duke caktuar tarifa të unifikuara të sigurimit për secilën kategori të automjeteve. Komisioni i Konkurrencës, bazuar në të gjitha këto informacione, hapi procedurat hetimore në fillim të muajit shkurt 2012. Në përfundim të procedurave të hetimit paraprak dhe atij të thelluar gjykoi se shoqëritë ishin në shkelje të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe ato kishin vepruar në bazë të një marrëveshjeje duke fiksuar çmimin në treg.
Argumentimi i Komisionit të Konkurrencës bazohej në faktin se qoftë edhe për 18-20% të tarifës fundore të policës shoqëritë duhet të konkurronin me njëra–tjetrën. Kjo diferencë krijonte mundësi që secila prej shoqërive të zbatonte një politikë individuale në përcaktimin e tarifës fundore. Pra, Komisioni i Konkurrencës vendosi penalitete ndaj shoqërive të sigurimit.
Gjithashtu, me vendim, Komisioni i Konkurrencës kërkonte zbatimin e sistemit Bonus–Malus, i cili do të gjeneronte konkurrencë në treg. Eficienca e ndërhyrjes së Autoritetit të Konkurrencës në lidhje me këtë produkt shkoi pothuajse në “nul” sepse, Gjykata e Apelit (këtë herë) vendosi rrëzimin e vendimit të Komisionit të Konkurrencës duke u dhënë të drejtë shoqërive të sigurimit, pra vendimi me penalitete u zhvleftësua. Gjatë kësaj periudhe, ne zhvilluan takime shumë intensive me AMF-në për të përçuar logjikën se shoqëritë për këtë produkt, qoftë edhe në mënyrë minimale, duhet të konkurronin me njëra–tjetrën. Rregullatori ngrinte shqetësimin e informalitetit në këtë treg. Komisioni i Konkurrencës në mënyrë të vazhdueshme është shprehur se informaliteti nuk mund të luftohet kurrsesi duke shkelur konkurrencën, por duke marrë masa për të rritur nivelin mbikëqyrës në zbatim të ligjeve respektive. Kjo logjikë vlen për të gjitha tregjet e rregulluara. Shoqëritë që operojnë në këto tregje kanë detyrime, për të cilat kanë marrë edhe licenca. Nisur nga kjo, Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë rekomandime edhe për rregullime ligjore. Situata, edhe pas kësaj, ka vazhduar të jetë e luhatshme. Në janar të vitit 2014, disa shoqëri filluan të tregtonin polica nën vlerën e primit të rrezikut. Për këtë patëm ankesa të shumta. Por, në çdo rast, Komisioni i Konkurrencës ka theksuar se garantimi i konkurrencës dhe mirëfunksionimi i tregut realizohet përmes sistemit Bonus–Malus. Në fakt, instrumentet e matjes së primeve bazë të rrezikut, ku karakteristikat e shoqërive janë të dukshme, duhet të gjeneronin në parim tarifa të ndryshme. Në këto kushte, vetë rregullatorët do të ishin më të konsoliduar për t’u ballafaquar me sjelljen në treg.

– As masat ndëshkuese që janë rekomanduar nga ju nuk kanë dhënë efekt…
Në funksion të eficiencës së ndërhyrjes në treg, Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të ligjit dhe të gjithë doktrinës europiane të konkurrencës ka dy instrumente: penalitet ndaj firmave dhe rekomandime për rregullime ligjore apo nënligjore, të cilat synojnë të nxisin dhe të mbrojnë konkurrencën. Prandaj edhe Autoriteti i Konkurrencës i ka përdorur të dyja këto instrumente, duke kërkuar krijimin e një mjedisi pro konkurrues, pasi në këtë mënyrë mund të evidentohen dhe të provohen veprimet antikonkurruese të shoqërive në treg e për rrjedhojë, edhe vendimmarrja e Komisionit me penalitete është më e argumentuar. Fakti i rrëzimit të vendimeve të Komisionit të Konkurrencës me gjoba nga gjykatat kanë qenë pjesë e informimit të institucioneve, në të cilat ne raportojmë, si dhe të publikut nëpërmjet bashkëpunimit me mediat. Në thelb, rekomandimet kërkojnë vetëm zbatimin dhe përmirësimin e ligjeve specifike dhe të akteve nënligjore, në mënyrë që të zbatohen parimet bazë të një ekonomie tregu, e cila është e shprehur qartë edhe në Kushtetutë. Zbatimi i rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës është detyrim ligjor. E nëse ato nuk zbatohen, atëherë tregu nuk mund të rregullohet vetvetiu, pasi është një treg i rregulluar.

– Tregu, së fundmi, shfaqi sërish të njëjtin problem, cili është opinioni i Konkurrencës?
Në fakt, më duhet të nënvizoj disa momente të rëndësishme të vitit 2014. Gjatë këtij viti, situata me tarifat e MTPL-së u shfaq sërish. Ato u rritën në mënyrë të menjëhershme dhe të koordinuar. Në përgjigje të hetimit të hapur nga Autoriteti i Konkurrencës, shoqëritë u shfaqën më të ndërgjegjësuara dhe u paraqitën me angazhime konkrete për një bashkëpunim konkret me AMF-në, në lidhje me rregullimet ligjore dhe nënligjore që do të krijonin mundësinë për nxitjen e konkurrencës në tregun e sigurimeve.
Gjithashtu, gjatë verës së atij viti, u bë testimi i sistemit Bonus–Malus, si një garanci se zbatimi i tij nuk do të vononte dhe do të realizohej në janar 2015. Në këtë procedurë hetimore u konstatua se Autoriteti Mbikëqyrës, duke dashur që të ushtronte kontroll mbi raportimet online të shitjeve të policave të sigurimit pati ndërtuar një sistem, tek i cili gjenerohej i gjithë informacioni. Ky sistem u konsiderua si një mundësi që kishin shoqëritë të ndanin informacione mbi shitjet dhe për të kontrolluar pjesët e tregut të njëra-tjetrës. Prandaj edhe ky shqetësim është adresuar në vendimmarrjen e Komisionit të Konkurrencës.
Vendimet nr. 324 dhe 325, datë 30.07.2014, shprehin qartë të gjitha detyrimet e shoqërive të sigurimeve, si dhe rekomandimet e adresuara ndaj AMF-së si autoriteti rregullues. Pra, Komisioni i Konkurrencës, nëpërmjet vendimmarrjeve ka përdorur të dy instrumentet që ia jep ligji: penalizuese dhe rekomanduese, zbatimi i të cilave do të mundësonte që sot tregu të ishte më eficient.
Në vitin 2015, u realizuan amendimet e Ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm”, për të cilin na u kërkua opinion, në zbatim të nenit 69 të ligjit. Gjatë vlerësimit të draftligjit u konstatua se ishin reflektuar rekomandimet kryesore të Komisionit të Konkurrencës, të cilat do t’i shërbenin rritjes së konkurrencës për këtë produkt në treg. Më konkretisht, rekomandimi që lidhej pikërisht me pagesën e dëmit nga ana e siguruesit të drejtpërdrejtë ishte marrë në konsideratë, si dhe sigurohej i gjithë kuadri ligjor që vendoste në eficiencë sistemin Bonus-Malus. Ne kërkuam reflektimin edhe të angazhimeve të tjera, për të cilat ishte shprehur Komisioni i Konkurrencës në vendimin e tij të fundit të korrikut 2014. Por, ky projektligj, nuk ka shkuar ende në Kuvend. Është pikërisht ky ligj që do të lehtësonte dhe do të përmbushte gjithë kuadrin ligjor për zbatimin e sistemit Bonus–Malus. Në ditët e sotme, tregu vuan mungesën e konkurrencës, për shkak të moszbatimit të rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës, nga mbikëqyrësi i tregut dhe nga ulja e eficiencës së ndërhyrjeve nga Autoriteti nga zhbërja e penaliteteve nga gjykata.

– A kemi të bëjmë me një situatë monopol?
Ne kemi të bëjmë me një situatë ku shoqëritë e sigurimit, bazuar në një prim minimal me bazë rreziku, që është i njëjtë për të gjithë, caktojnë çmime që ndryshojnë shumë pak me njëra–tjetrën.
Nisur edhe nga e gjithë përvoja e ndërhyrjeve në treg të Autoritetit në lidhje me këtë produkt, konstatojmë se instrumenti që do ta bënte tregun të funksiononte është sistemi Bonus–Malus. Aplikimi i këtij sistemi do të krijonte mundësinë që Autoriteti i Konkurrencës të mund të identifikonte dhe të provonte qartazi sjelljen antikonkurruese të shoqërive në treg dhe kjo do të ulte mundësinë e interpretimeve të ndryshme nga ana e Gjykatës së Faktit e të provës për sjelljen e koordinuara midis shoqërive.
Në kushtet kur 90% e tarifës fundore “ngurtësohet”, mënyra sesi përcaktohet primi minimal i rrezikut lë shumë pak hapësira për të identifikuar politikat individuale në përcaktimin e tarifave.

– Si do të procedohet në lidhje me hetimin për tarifat e MTPL-së që u rritën së fundmi?
Aktualisht, Autoriteti i Konkurrencës po monitoron tregun dhe do të përdorë instrumentet ligjore, si dhe do të bashkëpunojë më ngushtë me AMF-në dhe Kuvendin e Shqipërisë, që të krijojë mundësinë e nxitjes së alternativave për sa i përket sistemit të raportimit online.
Ne konstatojmë sot disa “lëvizje” nga ana e operatorëve për të krijuar mundësi në ofrimin e produkteve të tyre. Kjo do të thotë se nëse kjo politikë individuale do të zbatohet edhe nga të gjitha shoqëritë, do të krijojë më shumë pavarësi dhe fleksibilitet në treg.
Megjithatë, për ne shkaqet që kanë sjellë në këtë gjendje ku është ky treg i rregulluar janë të identifikuara. Për ne, zgjidhja është zbatimi i sistemit Bonus–Malus që është sistemi që do të gjenerojë konkurrencë mes operatorëve dhe një “lojë” më transparente në këndvështrimin e “watchdogut” shqiptar.
Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të ligjit në mënyrë konsistente, është shprehur se në mënyrë absolute, shoqëritë shkelin ligjin për mbrojtjen e konkurrencës nëse nuk vendosin tarifa bazuar në politikat e tyre individuale.

Exit mobile version