Investimet turke në Shqipëri, 3 miliardë euro

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pritur me një ceremoni shtetërore homologun e tij shqiptar, Bujar Nishani, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Pritja zyrtare e zhvilluar në vendin ku mbahen ceremonitë e pritjes ka nisur me intonimin e himneve të të dy vendeve.
Presidenti Nishani ka përshëndetur trupën e nderit me thirrjen “Merhaba Asker”, ndërsa në vendin e ceremonisë të gatshëm ishin edhe ushtarët, të cilët mbanin në duar flamujt e 16 shteteve turke.
Presidenti i Turqisë dhe ai i Shqipërisë, kanë shtrënguar duart përpara flamurit të Turqisë dhe atij të Shqipërisë të vendosur në shkallët e rezidencës shtetërore.
Pas përfundimit të ceremonisë, dy presidentët janë njohur me delegacionet përkatëse dhe më pas ka nisur takimi kokë më kokë.
Presidenti turk Erdogan deklaroi dje, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin Nishani se, Shqipëria është vend kyç për stabilitetin në Ballkan. Presidenti turk ka folur për fëmijërinë e tij, e cila sipas tij, ka lidhje të ngushtë dhe emocionale me shqiptarët, shkruan haberturk.com, transmeton lajmi.net
“Në vendin ku kam lindur unë, komshinjtë e parë i kemi pas shqiptarë. Mund të them se jam rritur në duart e nënës shqiptare. Ishte një familje e mrekullueshme dhe i falënderoj për kujdesin që kishin ndaj meje si fëmijë”, është shprehur Erdogan.
Erdogan ka përmendur investimet turke në Shqipëri, duke thënë se kapin shumën mbi 3 miliardë euro, ndërkaq pati edhe një falënderim për Nishanin. “Falënderojmë presidentin Nishani për përkrahjen e tij në luftën kundër FETO-s”.
Presidenti truk Erdogan tha se do të bëjnë çdo që është e mundur për ta mbrojtur Shqipërinë, ndërkaq ka shtuar se do të investojnë më tepër në sistemin e arsimit.
Gjatë konferencës së shtypit mes tyre, Erdogan kërkon që Shqipëria të pastrojë lidhjet me klerikun Fetullah Gulen.
“Është e drejta jonë të kërkojmë që, Shqipëria të pastrojë territorin e saj nga elementët, të cilët janë kërcënim për Turqinë. Jemi në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe për sigurinë. Vendi jonë është duke dhënë përvojën dhe kontributin e tij për policinë e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Në këtë fushë zhvillojmë trajnime të ndryshme. Këto trajnime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Gjatë takimit me Nishanin folëm edhe për organizatën terroriste FETÖ si dhe luftën kundër saj. Unë e falënderoj personalisht dhe në emër të popullit tim për ndihmën e dhënë ndaj nesh në lidhje me këtë çështje”, u shpreh Presidenti i Turqisë, raporton “Anadolu”.

Erdogan me Nishanin në inaugurimin të tunelit ‘Euroazia’

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Sh.T.Z. Recep Tayyip Erdoğan dhe Zonjës Emine Erdoğan, si dhe në kuadër të fillimit të vizitës zyrtare në Turqi, morën pjesë si të ftuar nderi në ceremoninë e inaugurimit të tunelit Euroazia, që kalon nën shtratin e detit e që lidh pjesën evropiane me atë aziatike të qytetit të Stambollit në Turqi, një projekt madhështor ky që i jep zhvillim të mëtejshëm qytetit.
Ceremonia u ndoq nga shumë autoritete turke e të huaja dhe gjatë kësaj ceremonie, Presidenti Nishani zhvilloi biseda të shkurtra me Presidentin e Turqisë, si dhe autoritetet e tjera turke e të huaja.
Presidenti Nishani do të vijojë vizitën zyrtare në Kryeqytetin e Turqisë, Ankara, ku do të zhvillojë takime zyrtare me Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, si dhe do të vendosë një kurorë me lule në Mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut.

Exit mobile version