Investitorët e huaj, gjyq publik Ramës

Investitorët e huaj ia kanë përplasur Edi Ramës në fytyrë pakënaqësitë e tyre ndaj klimës negative të biznesit që qeveria këto tre vite ka krijuar duke nxitur largimin e tyre si dhe nxjerrjen e numri të konsiderueshëm qytetarët pa punë. Debatet e ashpra u zhvilluan dje në takimin e organizuar nga qeveria “Reforma në Ekonomi dhe Klima e Biznesit”, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga FMN, Banka Botërore si dhe biznesmenë të huaj që kanë investuar dhe investojnë në Shqipëri.
Aktiviteti i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Investimeve kulmoi kur qeveria u kritikua publikisht nga ish-presidenti i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, Patrick Pascal. Pascal deklaroi se politika fiskale e qeverisë ka çuar në faliment shumë biznesi.
“Unë jam Patriku dhe kam një kompani bitumi në Selenicë. Në paketën e parë fiskale kam pasur një shqetësim dhe i kam dërguar letër ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe ministrit aktual, Arben Ahmetaj dhe shumë të tjerëve se ajo paketë nuk duhet të kalonte sepse do të dëmtonte biznesin. Por ajo që ndodhi ishte se paketa u miratua dhe unë u detyrova të heq nga puna 80 persona”, ka thënë biznesmeni i huaj, duke shtuar se dikush të mbajë përgjegjësi për dëmin ndaj biznesit.
Por kjo deklaratë ka shkaktuar reagimin nervoz të Kryeministrit. “Patrik je bërë shumë shqiptar. Kjo ka kaluar tani vërtet do ta tregosh këtë histori? Është rregulluar kjo me paketën fiskale të korrikut”, replikoi Rama.
Kohët e fundit qeveria shqiptare po përballet me kritika të shtuara nga disa përfaqësues të njohur të biznesit për përkeqësimin e ambientit të biznesit. Mark Crawford, presidenti i Dhomës Amerikane ka deklaruar publikisht se largimi i investitorëve të huaj nga Shqipëria është rezultat i politikave të gabuara të qeverisë.
“Duke dëgjuar kanadezët dhe amerikanët, që po ikin nga sektori i naftës, po mendoja për ‘Albpetrol’-in, se si mund të investosh aty. Por kur ambasada dhe diplomatët nuk janë më diplomatë, duke parë vështirësinë e situatës, është shumë e vështirë për ne t’u themi investitorëve hajdeni, sepse do të jetë ambasada që do t’u thotë mos hajdeni, sepse situata nuk është e përshtatshme”, ka deklaruar Crawford.
Edhe përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri Jens Reinke theksoi se “komuniteti ndërkombëtar ka ende një vlerësim të dobët për Shqipërinë si destinacion investimesh”. Sipas tij “niveli i investimeve është ende i ulët dhe to janë në një drejtim, të përqëndruara në sektorin e energjisë, apo te gazsjellësi TAP. Ka nevojë për më shumë investime të huaja dhe në industrinë e shërbimeve”. Ai u tregua ndërkohë kritik lidhur me sistemin fiskal. “Shqipëria nuk po ecën mirë në sistemin e të ardhurave. Ajo që dua të them është se ky sistem është jo funksional. Sistemi i taksave duhet të jetë i parashikueshëm, i drejtëpërdrejtë dhe autoritetet tatimore duhet të gëzojnë besim. Administrata duhet të përmirësojë punën përsa i përket llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit”.
Debati vjen një ditë pas deklaratave të zëvendësambasadorit amerikan, David Muniz, se investitorët e huaj po largohen nga Shqipëria, ndaj të cilit dje kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone replikuese.
“Kush investitorë po ikën? Kush janë? Më thoni një. ‘Bankers’ nuk po ikën, por po shitet, që do të thotë se po fiton.  Nuk ka gjerman në Aeroportin e Rinasit. Gjermanët e kanë shitur me kohë pjesën e tyre e kanë thjesht një administrator”, deklaroi Rama, gjatë një aktiviteti të organizuar ngë Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.
Sipas Ramës, largimi nga Shqipëria i “Bankers Petroleum”, por edhe konsorciumit gjerman që ka Aeroportin e Rinasit, janë transaksione normale dhe të zakonshme në vendet me ekonomi të lirë tregu.
“Do t’i ndalojmë gjermanët e amerikanët të shesin? Këtu ka forca brenda biznesit që janë mësuar të hapin dyert për interesat e tyre e bëjnë çfarë të duan”, deklaroi Rama.
Deklaratat e Kryeministrit janë një reagim indirekt ndaj kritikave të forta të zëvendësambasadorit amerikan, David Muniz, dy ditë më parë për klimën e rënduar të biznesit.
“Vitin e kaluar ne kemi biseduar me disa kompani, të cilat do të investonin 250 milionë dollarë, por këto kompani vendosën të investojnë tjetërkund për shkak të frikës se nuk do të kishin një gjykim të drejtë në gjykatat shqiptare”, tha Muniz.

Arben Shahini

Exit mobile version