IOM: 40 për qind e fuqisë punëtore të Shqipërisë ka ikur jashtë vendit

Rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë ka emigruar jashtë vendit, sipas raportit të fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, i cili thekson se për shkak të mungesës së mundësive të punësimit dhe punëve me paga dinjitoze, shumë njerëz janë larguar nga nënrajoni i Evropës Lindore dhe Juglindore, shpesh për të punuar në Evropën Perëndimore dhe Veriore.

Sipas raportit, Shqipëria dhe Moldavia janë dy nga vendet më të goditura.

Rreth 40% e fuqisë punëtore në Shqipëri vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit, duke kontribuar në fenomenin e ikjes së trurit dhe duke ushtruar presion mbi industritë dhe ekonomitë vendase që po humbasin vazhdimisht punëtorë, si në sektorë me kualifikim të ulët ashtu edhe në sektorë që kanë nevojë për punëtorë me kualifikim të lartë.

Normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsioni i konsiderueshëm dhe mungesa e meritokracisë, ndër faktorë të tjerë, ndikojnë në vendimet e njerëzve për t’u larguar nga vendi.

Ndërsa shumë njerëz që largohen nga Evropa Lindore dhe Juglindore janë migrantë të rregullt që përfundojnë duke punuar në Rusi ose në vende brenda Evropës Perëndimore dhe Veriore, ka pasur gjithashtu një rritje të numrit të migrantëve të parregullt nga disa vende në nënrajon.

Raporti thekson se mijëra të rinj shqiptarë, për shembull, kanë bërë udhëtime të vështira për të arritur në Evropën Veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku shumë rrezikojnë jetën e tyre duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla ose gomone.

Migrimi i parregullt nga dhe përmes Evropës Juglindore dhe Lindore mbetet një sfidë më vete. Shpesh i ndihmuar nga kontrabandistët, nënrajoni është një zonë kryesore tranziti dhe karakterizohet nga flukse migrimi të përziera, veçanërisht për migrantët që përpiqen të arrijnë Evropën Perëndimore dhe Veriore.

Mbërritjet e parregullta në Bashkimin Evropian nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, kryesisht nëpërmjet vendeve si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia, kanë parë një rritje të ardhjeve që nga viti 2018. Tre kombësitë më të mëdha që vijnë në Ballkan për të shkuar më pas në vendet e Evropës Perëndimore janë afganët, sirianë dhe pakistanez.

Exit mobile version