Isco Alarcón, mesfushori i Real Madridit, ka vendosur të mbetet në “Santiago Bernabeu” për një kohë të gjatë. Sipas të përditshmes sportive madrilene, “Marca”, Isco Alarcón do ta vazhdojë kontratën me Real Madridin deri në vitin 2022. “Marca” shkruan se babai i Iscos, Paco, i cili është edhe menaxher javën e kaluar ka pasur një takim me Los Blancos, dhe kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.
Me kontratën e re, Isco do të përfitojë rreth 6 milionë euro neto në sezon. Ai do të ketë njërën ndër pagat më të mëdha në klub pas Cristianos, Bales, Ramosit, Kroosit, Modriçit dhe Benzemas. Gjatë këtyre ditëve ishte përfolur se Isco mund të largohet nga Reali, derisa interesim për ta transferuar lojtarin kishin shfaqur Barcelona, Chelsea, Juventusi, Manchester Unitedi e City.