Gary Neville e ka kritikuar Cristiano Ronaldon pse iku vrullshëm drejt zhveshtores pas barazimit të Manchester Unitedit me Evertonin dhe nënvizoi se veprimi i portugezit e ka vënë nën presion të madh trajnerin Ole Gunnar Solskjaer.
Ronaldo ishte dukshëm i zemëruar pas barazimit të Unitedit 1:1 në Old Trafford të shtunën dhe u largua i vetëm drejt zhveshtores menjëherë pasi gjyqtari i ra pipit.
Superylli portugez e gëzoi një fillim mahnitës të sezonit me Unitedin, duke i shënuar pesë gola në gjashtë ndeshje pas kthimit në klub, por u la në stol kundër Evertonit.
Ronaldo nuk tregoi asgjë pasi u fut në lojë nga stoli në pjesën e dytë dhe nuk arriti ta frymëzojë ekipin e tij drejt një fitoreje tjetër në Teatrin e Ëndrrave.
Neville tha se nuk i pëlqeu reagimi i Ronaldos, për të cilin beson se veçse do ta shtojë presionin ndaj trajnerit Solskjaer, i cili po kritikohet tashmë nga tifozët për rezultatet e ndeshjeve të fundit.
Ish-mbrojtësi i Unitedit Neville tha: “E pashë ndeshjen dhe e pashë atë duke u larguar. Nuk mund të them se më pëlqeu”.
“A zemërohet Ronaldo kur nuk luan? Po. A zemërohet ai kur nuk shënon? Po. A bezdiset Cristiano kur ekipi nuk fiton? Natyrisht. Ne i dimë këto gjëra, ai nuk ka nevojë ta dëshmojë këtë.”
Ai shtoi: “Mendoj se reagime të tilla – Ronaldo është i mençur sa për ta ditur këtë – do të sjellin më shumë presion ndaj Ole Gunnar Solskjaer”.