Ish-kreu i KQZ: Ngërçin në Shkodër e zgjidh vetëm Presidenti!

Këshilli Bashkiak i Shkodrës, i dalë nga votimet e 30 qershorit, i është drejtuar me një kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ngërçin e krijuar për drejtimin e bashkisë.

Ngërçi u krijua pas tërheqjes së Valdrin Pjetrit nga posti i Kryebashkiakut, për shkak të publikimit të dokumenteve që provonin dënimin e tij në Itali.

Aktualisht Bashkia e Shkodrës drejtohet nga Voltana Ademi, e cila për socialistët ka përfunduar mandatin dhe s’mund të qëndrojë në detyrë.

Por a ka kompetencë ligjore Këshilli Bashkiak Shkodër t’i drejtohet KQZ-së?

Kristaq Kume, ish-kreu i KQZ-së, deklaroi për televizionin “Top Channel” se Këshilli nuk ka ndjekur rrugën e duhur për të zgjidhur këtë situatë.

“Pasi Këshilli Bashkiak Shkodër verifikoi vakancën e krijuar nga dorëheqja e zotit Pjetri, për mendimin tim duhet që të njoftonte për këtë vakancë prefektin e Qarkut të Shkodrës, i cili njofton pas kësaj Kryeministrin e vendit. Nuk e kuptoj pse Këshilli Bashkiak do të njoftojë KQZ-në, ndërkohë që ky proces për këtë të fundit është i mbyllur, për sa kohë ai ka deklaruar vendimin përfundimtar për zgjedhjet e 30 Qershorit. Duke qenë se vakanca nuk është krijuar si rezultat i veprimit të një personi përkatës sipas ligjit të dekriminalizimit, konstatim që në këtë rast do ta bënte KQZ-ja e të shpallte pavlefshmërinë e mandatit, por kemi të bëjmë me një dorëheqje. Prandaj nuk e shikoj se çfarë mund të bëjë KQZ”, sqaroi Kume.

Për zgjidhjen e kësaj krize për Bashkinë e Shkodrës, Kume theksoi se gjithçka është në dorë të Presidentit Meta.

“Jemi në kushtet kur është krijuar një vakancë në Bashkinë e Shkodrës që duhet të plotësohet vetëm përmes një procesi zgjedhor. Pra, ribërje e zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë Shkodër. Dhe për këtë është natyrisht e nevojshme që data të përcaktohet nga Presidenti i Republikës, ashtu siç e përcakton Kodi Zgjedhor. Nuk shoh rrugë tjetër alternative. Çdo zgjidhje tjetër që mund të bëhet, do të jetë zgjidhje e sforcuar për të kapërcyer situatën, pasi duhet të kemi parasysh se cili është qëndrimi Presidentit ndaj këtij problemi. Dhe ajo që arrihet në fund të fundit është shmangia nga kërkesat e atij që duhet të emërtohet si një shtet ligjor: respektimi i ligjit”, përfundoi Kume.

Gjetja e një zgjidhjeje se kush do ta drejtojë Bashkinë e Shkodrës, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, po kthehet në një sfidë të vërtetë juridike.

Kryetarja e re Këshillit Bashkiak Shkodër, Briseda Kadia, tha dje se për këtë situatë do t’i drejtohen me një kërkesë KQZ-së. Kjo kërkesë nuk ka mbërritur ende në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Por edhe kur të mbërrijë, ajo pritet të hasë në vonesa, pasi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste janë me pushime, ndërsa në zyrë qëndron vetëm Klement Zguri.

Që pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 30 qershorit nga ana e Kolegjit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi zyrtarisht pushimet vjetore. Kodi i Punës përcakton se leja vjetore është 28 ditë kalendarike dhe për rrjedhojë, rikthimi i tyre në punë pritet të jetë në fillim të shtatorit.

Exit mobile version