Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, thirret sërish në SPAK

Ish-kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK)

 

Mësohet se Dako do të merret në pyetje lidhur me dosjen e ish-deputetit socialist, Jugis Çyrbja, i cili është arrestuar dhe akuzohet për blerje votash dhe lidhje me krimin.

Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për t’u zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin. Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.

Dako do të japë shpjegime se kush e propozoi dhe renditi të 5-tin në listë, Çyrbjan.

Kujtojmë se një javë më parë, Gjykata e Posaçme e ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg Vagjush Dakon, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste.

Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.

Exit mobile version