Ish-polici grek, vrasësi me pagesë i Devi Kasmit, në kërkim organizatori

Katër ditë pas vrasjes së Devi Kasmit, policia ka bërë të ditur se është arrestuar ekzekutori. Atentati mbrëmjen e 29 janarit në Tiranë ka qenë i mirëorganizuar, ndërsa ekzekutori është një ish-efektiv i forcave speciale greke, tashmë i arrestuar nga Policia e Tiranës, ndërsa organizatori (Altin) Aurel Hoxhallari u shpall në kërkim. Në një konferencë për median drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu, zbardhi emrat e organizatorit, vrasësit me pagesë si dhe personat që kanë ndihmuar në kryerjen e këtij atentati të ndodhur në Tiranë në rrugën “Petro Çani”.
Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, 41 vjeç lindur e banues në Arta, Greqi dyshohet se është ekzekutori i shtetasit Devi Kasmi, si vrasës me pagesë. Ekzekutori ishte efektiv i forcave speciale greke deri në vitin 2012. Dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal është (Altin) Aurel Hoxhallari, i shpallur në kërkim.
Në momentin e arrestimit, shtetasi grek Efthymiou Efthymious iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen. Shtetasi grek është vetëdeklaruar si ish-punonjës i forcave speciale të policisë greke nga viti 1992 deri në vitin 2012, ai është përjashtuar nga kjo strukturë për faktin se është konstatuar si trafikant i lëndëve narkotike.

Ndihmësit

I arrestuar Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë, ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.
I arrestuar Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë, ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes.
I arrestuar Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur e banues në Tiranë dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastukturës për realizimin e vrasjes.
Policia njoftoi se finalizimi me sukses i goditjes së grupit të strukturuar kriminal “Enigma” u realizua pas një pune profesionale të pandërprerë, duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor.
Automatikë, snajper, antitank, eksploziv dhe drogë në banesën e organizatorit
Policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh në një vilë në periferi të Tiranës, në pronësi të organizatorit Hoxhallari. Gjatë operacionit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti, i cili dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes. Janë sekuestruar në cilësinë e provave material 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit, 4 armë automatike, 2 snajper, 4 pushkë automatike, 1 armë antitank me 2 predha, 1 bombë me telekomandim në distancë, sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol, 4 radiomarrëse, 1 dron, 110 kg kanabis dhe 2 maska.
Policia njoftoi se janë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar si dhe në një vilë të ndodhur në periferi të Tiranës, në pronësi të organizatorit të këtij grupi, e cila shërbente si bazë e grupit. Si rezultat i kontrolleve të kryera në këtë vilë është gjetur një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të precizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamoflazhi, etj.
Grupi i punës vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të.

Cili është roli i Meshinit?

Gjatë kohës, kur Policia organizonte operacionin, Gjykata e Tiranës ndërpreu seancën gjyqësore në ngarkim të Mario Meshinit, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Kasmit. Kjo, pasi prokurori i çështjes u largua pas marrjen së informacionit. Dëshmia e Meshinit ka dhënë ndihmën kryesore në zbardhjen e ngjarjes, pasi ai ka dhënë informacion mbi tiparet e ekzekutorit. Po ashtu dhe kamerat e sigurisë në vendngjarje kanë filmuar dinamikën e vrasjes. Pyetjeve të gazetarëve mbi rolin e Mario Meshinit në ekzekutimin e Devi Kasmit, kreu i Policisë së Tiranës nuk iu përgjigj, duke thënë se janë pjesë e dosjes hetimore dhe përbëjnë sekret hetimor. Në orën 14:30 Gjykata caktoi masën e arrestit me burg për Meshinin.

Organizatori, njeriu që porositi vrasjen e mikut të Shullazit

Policia e Tiranës ka goditur një grup të strukturuar kriminal, i cili dyshohet i përfshirë në vrasjen e shtetasit Devi Kasmi, mbrëmjen e 29 janarit në kryeqytet. Mes pjesëtarëve të këtij grupi është edhe një emër jo pak i njohur për policinë: Altin Aurel Hoxhallari, i cili ndodhet në kërkim nga policia, dhe që cilësohet ‘koka’ e këtij grupi të strukturuar kriminal. Katër anëtarët e grupit janë arrestuar nga policia, mes të cilëve edhe një grek. Ky i fundit, sipas burimeve zyrtare të policisë, është vrasësi me pagesë që ekzekutoi Devi Kasmin.
Por kush është Altin Aurel Hoxhallari, personi me dy emra, që arriti t’i shpëtojë sërish policisë?
Në vitin 2015, Aurel Hoxhallari u arrestua nga uniformat blu së bashku me kushëririn e tij, Amarildo Hoxhallari, pasi dyshoheshin si porositësit e vrasjes së Pajtim Serjanit, njëri prej miqve të Emiljano Shullazit.
Në atë kohë, dy kushërinjtë Hoxhallari dyshohet se i kishin siguruar kushtet dhe mjetet e nevojshme të dyshuarit Arjanit Sterio për të kryer ekzekutimin e Serjanit, ku nga shkëmbimi i zjarrit me policinë mbeti i vdekur atentatori Sterio.
Ndërkohë, Aurel Hoxhallari u la i lirë nga gjykata, pasi nuk u gjetën prova të forta për të vërtetuar lidhjen e tij me atentatin e dështuar ndaj Serjanit. Ky i fundit, është liruar nga burgu në maj 2017, pasi ka përfunduar dënimin për gjobëvënie ndaj një biznesmeni.

Atentati tek “Rruga e Kavajës”, si u lirua organizatori i vrasjes së Devi Kasmit

3 vite më parë dhe vetëm 20 ditë pas arrestimit, Gjykata e Krimeve të Rënda liroi dy kushërinjtë Hoxhallari, Aurel dhe Amarildo nga akuza e vrasjes së mbetur në tentativë. Dje Aurel Hoxhallari u shpall në kërkim për organizimin e vrasjes së 42-vjeçarit Devi Kasmi, katër ditë më parë në Tiranë.
Megjithëse të arrestuar me bujë si porositësit e atentatit tek rruga e “Kavajës”, ku u plagosën Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit dhe polici Roland Meta, më 1 shkurt të vitit 2015 Gjykata e Krimeve të Rënda vlerësoi se Prokuroria nuk ka prova për t’i mbajtur ata në burg.
“Por dy kushërinjtë nuk duhet të largohen nga Tirana”, thuhej në vendimin e gjykatës. Prokurori Ened Nakuçi gjatë fjalës së tij, mësohet se i ka thënë gjykatës, se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme që implikonin dy kushërinjtë Hoxhallari me ngjarjen e ndodhur në rrugën e Kavajës.
Dy kushërinjtë Hoxhallari u akuzuan si personat që kishin organizuar atentatin ndaj Pajtim Serjanit. Mbrëmjen e 5 janarit, Serjani u qëllua me pistoletë nga Artur Baze. Atentatori u vra nga polici Roland Meta, që gjendej në një tavolinë me Pajtim Serjanin. Edhe polici u plagos.
Në momentin e arrestimit të kushërinjve Hoxhallari, burime të policisë thanë se ekzistonin prova se ishin ata organizatorët.
Policia deklaroi se kishte për përgjime telefonike dhe pamje filmike të njërit prej kushërinjve me atentatorin, pamje këto të regjistruara nga kamera e sigurisë së një biznesi privat, ku ai shfaqej me Artur Bazen në rrugën e Kavajës, pak minuta para ngjarjes.
Dy kushërinjtë i patën mohuar akuzat dhe gjatë shoqërimit në dhomat e paraburgimit thanë para kamerave të disa televizioneve, se nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen.
Të njëjtin qëndrim ata kanë mbajtur edhe në seancën e 1 shkurtit 2015 kur Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi t’i lërë të lirë, pasi prokuroria nuk paraqiti prova bindëse. Po të njëjtën mbrëmje ndodhi një atentat ndaj Emiljano Shullazit e Gilmando Danit.
Aurel Hoxhallari, person i shpallur në kërkim akuzohet se është organizator i kësaj bande kriminale, ndërkohë që Elton Halipaj akuzohet se siguroi mjetet për vrasjen.

 

Exit mobile version