Katër pyetje Ramës dhe mbrojtje me çdo çmim integritetit të vendit

Sali BERISHA

Edvin Kristaq Rama, pasi i fali Greqisë fushat më të mëdha të gazit dhe naftës në Jon dhe Mesdhe, i fali asaj edhe 6 milje nga ujërat ndërkombëtare, të cilat aq sa janë të Greqisë janë të Shqipërisë, kishte zgjedhur Ballën për bukvalët e radhës!
Mirëpo ai mbrëmë te Balla, duke dashur të mashtrojë shqiptarët ra brenda me të dy këmbët. Kështu, për pazarin e tij për detin ai tek Balla tha:
“Kush e hapi këtë problem? Greqia e hapi këtë problem apo e hapëm ne. Greqia ishte e kënaqur me marrëveshjen e 2009. E hapëm ne, Greqia për 3 vite i iku tavolinës jo për të korrigjuar marrëveshjen, por për të mos bërë një marrëveshje të re”, dhe se ai po zgjidhte probleme që nuk janë prekur për 70 vite”, tha ndër të tjera kapitullanti në krye të qeverisë.
Së pari, ky është një mashtrim i turpshëm i paskrupullt i tij, sepse pas anullimit, në një akt korruptiv për llogari të një pale të tretë të marrëveshjes së detit të pranuar nga të dy palët, nuk është e vërtetë se Greqia i iku tavolinës përkundrazi ajo kërkoi me insistim bisedime për zgjidhjen e problemit me pazar, vetëkuptohet me këtë lloj zgjidhje me pazar që ajo i imponoi së fundi Ramës.
Ne kundërshtuam në mënyrë të prerë të bisedonim për zgjidhjen me Pazar, duke insistuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ligj dhe do zbatohet dhe se nuk pranojmë të ulemi për të zgjidhur me pazar midis palëve çështje të kufirit midis dy vendeve.
Ne insistuam në mënyrë të prerë se do të pranojmë vetëm zgjidhjen me Gjykatën e Detit. Po shtoj këtu se, pikërisht për të shmangur zgjidhjen me pazar, ne pranuam zgjidhjen me metodën e barazlargimit, metodë kjo e përdorur në 98% të rasteve në zgjidhjen e problemit të kufijve detar në Europë, dhe sipas kësaj metode Shqipëria nuk ka humbur as një metër katror. Kjo metodë nuk këshillohet në linjat, kurba të mëdha, pra në rastin e gjive të mëdhenj.
Personalisht e kam pranuar metodën e barazlargimit, sepse as unë dhe asnjëri që i thotë vetes shqiptar nuk mund të pranojë Sarandën si gji i madh dhe nuk mund të mohojë se ishujt grekë plot ndërtesa, shtëpi banimi, shkolla etj., nuk janë të populluar.
Pas anullimit të marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese pala greke fillimisht kërkoi me insistim që të uleshim për të gjetur një zgjidhje të dakortësuar të re me bisedime dhe se nuk pranonte zgjidhjen me Gjykatë të problemit, por ne refuzuam prerazi.
Pala greke, kur u bind se ne nuk pranonim të bënim pazar “ti merr këtë dhe ne do marrim atë llokmë”, pra nuk do kishte zgjidhje me pazar, kërkoi nga ne që si Gjykatë Deti të zgjidhej ajo e Hagës dhe jo e Hamburgut, kërkesë me të cilën ne ramë dakord. Pas largimit nga pushteti, pala greke e pa se kishte të bënte tani me një karagjoz dhe një karabush, përkatësisht neobllokmenët; piktorin dështak Edvin Kristaq Rama dhe Ditzi Bushatin, të cilët për shkak të veprimeve të tyre të papjekura nuk i përfilli për katër vite as për hosh as për balosh dhe arriti t’u diktojë së fundi marrëveshjen aktuale të detit duke marrë për vete gjithçka deshi, si fushat gjigante të gazit dhe naftës, më të mëdhatë në Jon dhe Mesdhe, të zgjerojë nga 6 milje në 12 milje kufirin e ujërave territoriale me Shqipërinë, duke u lënë në dorë si shpërblim piktorit dështak dhe Ditziut, një letër të vdekur, atavizëm të turpshme për të gjitha qeveritë greke, ligjin e luftës me Shqipërinë.
Pra pala greke luajti mrekullisht me bllofin në interes të saj për të marrë gjithçka deshi nga pala shqiptare, duke i lënë kësaj të fundit atletet e kuqe të Edvin Kristaq Ramës.
Sqaroj këtu se ligji i luftës u bazua në falsifikimin grek të historisë, sipas të cilit në konfliktin italo-grek, Shqipëria vend i pushtuar ishte palë ndërluftuese me Italinë kundër Greqisë, dhe, në rast se do të pranohej teza absurde greke, Shqipëria pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore do të renditej me vendet humbëse të luftës dhe natyrisht mund të ndëshkohej me coptime të mëtejshme. Por Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Dytë Botërore renditi Shqipërinë me fituesit e luftës, pra me aleatët anglo-amerikanë duke varrosur kështu përfundimsht falsifikimin grek të historisë me qëllime të qarta ekspansioniste.
Së fundi, Edi Rama, sërish është gënjeshtar 2 metërlik kur mashtron se po zgjidhim probleme që nuk janë prekur nga qeveritë shqiptare për 70 vite me radhë. Ky është një trillim i turpshëm i një injoranti që beson se gjithçka fillon me ardhjen e tij aksidentale në pushtet. Në marrëdhëniet midis dy vendeve nuk ekziston asnjë problem, absolutisht asnjë problem bilateral që nuk është diskutuar midis palëve. Këto diskutime u kurorëzuan me traktatin e miqësisë të vitit 1996, të cilin socialistë apatrid shqiptarë sapo erdhën në pushtet, të shtyrë nga ultranacionalistë grekë deklaruan se nuk e njohin, nën pretekstin se atë e kishte firmosur armiku i tyre Berisha.
Duke përfunduar, ju ftoj të dashur miq, ju dhe çdo shqiptar, në këto momente kritike për integritetin e vendit dhe interesin madhor kombëtar t’i shtrojë Edvin Kristaq Ramës këto tre pyetje:
1- Pse pala greke refuzoi fillimisht dërgimin e çështjes në Gjykatën e Detit dhe insistoi për zgjidhjen me pazar? E bëri këtë për interes të vetin apo të Shqipërisë?
2- Pse hoqe dorë nga dërgimi i çështjes në Gjykatën e Detit dhe e bëre këtë për interesa të Shqipërisë apo të Greqisë?
3-Pse Greqia, që ka 6 milje ujërat e saj territoriale me Italinë dhe Turqinë, dhe po kaq i kishte dhe me Shqipërinë, pas pazarit tënd të piste do ti zgjeroje n’ë 12 milje këto ujëra me Shqipërinë?
4- Ky zgjerim i ujërave territoriale të Greqisë është në interes apo në dëm të Shqipërisë?
Duke përfunduar, u bëj thirrje shqiptarëve të përgatiten për të mbrojtur me çdo çmim integritetin e vendit dhe interesin kombëtar nga dyshja antishqiptare e neo-bllokmenëve Rama-Bushati! sb

Exit mobile version