Ish-Presidentes i ndalohet hyrja në Serbi, reagon BE

Autoritetet e Serbisë i ndaluan ish-Presidentes Atifete Jahjaga pjesëmarrjen në një aktivitet të shoqërisë civile, në Beograd. Ish-Presidentja e Kosovës, ishte e ftuar të merrte pjesë në Beograd në promovimin e librit “Unë dua të dëgjohem”, në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” që dy ditët e fundit po zhvillohet në kryeqytetin e Serbisë.
Jahjaga, ishte e ftuar të mbante fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Mirëpo, autoritetet serbe, në përgjigjen e tyre dërguar zyrës së ish-Presidentes Jahjaga, thonë se ata nuk mund t’i ofrojnë siguri në Serbi ish-Presidentes së Kosovës. Dy netët e para të festivalit në Beograd, janë shoqëruar me protesta të serbëve, të cilët kundërshtonin pjesëmarrjen e ish-Presidentes së Kosovës. Jahjaga në një postim në Facebook, thotë se “hyrja e saj në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd”.

“Shpjegimi absurd” i Serbisë
“Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë. Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikmëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë në marrëveshje. Por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time”, thotë Atifete Jahjaga.
Sipas saj, “pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara”.
“Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të ‘90-të, kur kanë qenë edhe protagonistë. Por dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjsh dhe aktivistë, që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udhëheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufij”, thotë në reagimin e saj, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ministres në detyrë për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri. Ajo thotë se ka njoftuar Bashkimin Evropian për ndalesën e vizitës së ish-presidentes, Atifete Jahjaga, në Beograd nga ana e autoriteteve të Serbisë duke theksuar se me këtë akt refuzimi, “Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve”. “Akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e Edita Tahirit.
Ndërkohë, nga Serbia aktivistja për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, akuzon rëndë qeverinë e Serbisë që nuk ia mundësoi hyrjen në Serbi ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Ish-Presidentja e Kosovës nuk ka marrë leje për hyrje në Serbi. Qeveria preferon shqiptarët në varreza masive, nën këmbët e gjeneral Dinkoviç”, shkruan Natasha Kandiç.

Lunaçek: Sjellja e Beogradit, e papranueshme

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ishte e ftuar për të promovuar librin “Unë dua të dëgjohem”, kushtuar rreth 20.000 femrave të dhunuara nga forcat serbe, gjatë luftës së Kosovës. Libri u prezantua dje në Beograd, në kuadër të Festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, i cili po mbahet në kryeqytetin e Serbisë. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuese e posaçme për Kosovën, Ulrike Lunaçek e ka dënuar ashpër sjelljen e autoriteteve serbe.
“Është plotësisht e papranueshme që ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, t’i pamundësohet nga autoritetet serbe pjesëmarrja në Festivalin ‘Mirëdita, Dobar Dan’”, thotë Lunaçek në një prononcim për “Deutsche Wellen”.

Autoritetet serbe të lejojnë futjen e Jahjagës
Ish-Presidentja Jahjaga kishte për qëllim të prezantonte atje librin “Unë dua të dëgjohem”, për femrat e dhunuara dhe keqtrajtuara në Kosovë gjatë kohës së luftës. “Kjo sjellje e autoriteteve serbe është edhe një kundërshtim tjetër i marrëdhënieve të mira fqinjësore, për të cilat Beogradi është obliguar në dialogun e Brukselit me Kosovën të ndëmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, pohon Lunacek, e cila kërkon që “autoritetet e Serbisë menjëherë të mundësojnë hyrjen e ish-Presidentes Jahjaga në Serbi me qëllim që sonte të mund të marrë pjesë në takimin ku është ftuar”.

Exit mobile version