Ish-Presidenti: Prokuroria që fle mbi dosjet e kryebashkiakëve të inkriminuar po sulmon median

Bujar NISHANI

Propaganda e një sekti anarkist, korruptiv deri në lëkurën e shtatë, çirak dhe skllav i krimit që ka pushtuar çdo qelizë të një shteti të drobitur dhe gati gati të asgjesuar tenton të fshehë papërgjegjshmërinë, paaftësinë dhe dështimin fatal për të ndihmuar njerëzit në nevojë nga pasojat e tërmetit, me fushatën dhe sjelljen fashtistoide ndaj një gazetari dhe media online, ndër të paktat e pavarura, që u shërbejnë shqiptarëve me guxim.

Padyshim që lajmi i rremë dhe i nxituar për “parashikimin e tërmetit” është i gabuar dhe jo profesional, por përgenjeshtrimi i menjëhershëm dhe sqarimi publik po nga vetë burimi mediatik tregon se si duhet reaguar dhe duhet të sillemi me publikun edhe kur gabojmë.

Po kaq i përgjegjëshëm dhe profesional është reagimi i menjëhershēm dhe ndjesa publike, çka nuk është parë më parë tek mijra raste të lajmeve, akuzave, shpifjeve të gënjeshtërta të përhapura e sponsorizuara prej pushtetit të korrupsionit dhe gjenocidit psikologjik ndaj një populli të tërë, i cili ka marrë arratinë me qindra mijra ndër 5-6 vitet e fundit të këtij krimi social ndaj tij.

Ikja nga përgjegjësia dhe puna, për t’ja lehtësuar dhe korrigjuar pasojat e dëmit njerëzve, duke organizuar një fushatë inkriminimi ndaj një gazetari e ndaj një media të pavarur tregon identikitin e vërtetë të rrjetit që mban fatet e vendimarrjes politike e administrative të këtij vendi.

Shqiptarët panë qartë një urrejtje fashistoide të akumular prej betejës me median e vërtetë, të pakapur, aleate e qytetarëve dhe jo kliente e parave të pista të narkorregjimit.

Një prokurori që nuk ka lëshuar një tingull e fle mbi akuza dhe prova skandaloze të opozitës mbi kryebashkiakë të inkriminuar dhe mashtrues, u hakërrye publikisht ndaj një media, denoncuese të skandaleve, vjedhjeve, abuzimeve, mashtrimeve, të zezave të përditëshme ndaj njerëzve të pambrojtur nga ky abuzim i pushtetit.

Kjo është një betejë në fakt dhe beteja me të keqen nuk është e lehtë. Por ajo nuk ka alternativë, veç të fitohet !
Ahere do të fillojë drejtësia e vërtetë, më së pari ndaj gjenociduesve të psikozës dhe moralit të një populli të tërë, tash e gjashtë vite me rradhë !

Exit mobile version