Një raport i një organizate ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së mjedisit thekson faktin se projekti i Ujësjellësit të Himarës, i cili parashikon marrjen e ujit nga burimi i lumit Shushica, rrezikon Parkun Kombëtar të Vjosës. Organizata thotë se projekti do të ketë pasoja të rënda mjedisore ndaj rekomandon tërheqjen dhe shfrytëzimin e burimeve alternative.
Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) ka publikuar një raport vlerësimi mbi projektin e diskutueshëm të devijimit të ujit nga burimi i Lëpushës, që ndodhet brenda Parkut të Vjosës, drejt bregdetit të Himarës, i cili synon të mbështesë turizmin masiv.
Raporti, i përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas, thekson se ky projekt rrezikon të ketë ndikime mbi biodiversitetin e Vjosës dhe nuk përmbush standardet e IUCN për parqet.
Sipas raportit, devijimi i ujit do të shkaktonte humbjen e habitatit kritik për specie të rrezikuara, si peshqit, amfibët dhe bimësinë ujore, si dhe dëme të pakthyeshme në përcjelljen e sedimenteve, apo dhe cilësisë së ujit.
Këto ndikime bien ndesh me udhëzimet e IUCN për Parqet Kombëtare, Kategoria II, udhëzime për të cilat qeveria shqiptare është zotuar t’i marrë në konsideratë. Raporti thekson se tërheqja nga projekti është e domosdoshme “për të arritur mos-humbjen e biodiversitetit dhe për të shmangur ndikimet negative mbi integritetin e PK Vjosa dhe objektivat e tij”.
IUCN thekson se burimi i Lëpushës është furnizuesi kryesor i rrjedhës së Shushicës dhe për këtë ai është thelbësor për ekosistemin e tij. Projekti, siç është planifikuar, parashikon të shfrytëzojë të gjithë rrjedhën e burimit edhe gjatë verës, duke mos lënë ujë për biodiversitetin e lumit, apo dhe banorët e 36 fshatrave që shtrihen anës rrjedhës së tij deri ku bashkohet me Vjosën.
Raporti identifikon disa burime alternative uji, si burimet e Borshit, Tatzatit dhe Ferës, të cilat mund të plotësojnë kërkesën për ujë pa dëmtuar Parkun Kombëtar të Vjosës. Gjithashtu, theksohet se ndryshimet klimatike parashikohet të reduktojnë disponueshmërinë e ujit në Vjosë dhe Shushicë me 30% deri në vitin 2050, duke e bërë ndikimin ekologjik të shfrytëzimit të ujit edhe më të rëndë në të ardhmen.
Në një njoftim të shpërndarë online, organizatat mjedisore EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur mirëpritën rezultatet e raportit dhe i bënë thirrje qeverisë që të veprojë në përputhje me gjetjet e tij, duke mbrojtur Parkun Kombëtar të Vjosës përmes marrjes në konsideratë të një projekti alternativ që shfrytëzon burimet ujore jashtë parkut.
Themeluar në vitin 1948, IUCN është një nga organizatat më prestigjioze në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe biodiversitetit. Si një rrjet ndërkombëtar ekspertësh dhe organizatash, IUCN këshillon qeveritë dhe institucionet mbi menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore. Raportet e saj kanë një peshë të madhe në vendimmarrjen ndërkombëtare dhe shpesh ndikojnë në politikat mjedisore të vendeve anëtare.
Rezistenca e banorëve dhe moskokëçarja e autoriteteve
Shushica rrjedh nga Mali i Thatë dhe Mali i Gjoshnikoshit në lindje të fshatit Kuç. Ky lum bën bashkë të paktën tre përrenj të ftohtë – Smokthina, Vajza, Vllahina – dhe përshkon rreth 82 kilometra nga jugu në veri duke iu bashkuar Vjosës si një nga degët kryesore të saj.
Prej vitit 2021 banorët e fshatrave përgjatë lumit Shushica, i cili njihet edhe si Lumi i Vlorës, kundërshtojnë projektin e Ujësjellësit të Himarës, i cili parashikon devijimin e prurjeve të këtij lumi drejt resorteve apo hoteleve në bregdet.
Sipas banorëve, devijimi i lumit rrezikon të përgjysmojë prurjet e tij, duke ndikuar negativisht në bujqësinë dhe jetesën e tyre. Ata kanë protestuar disa herë, duke kërkuar ndalimin e punimeve dhe gjetjen e një zgjidhje alternative.
Në qershor të vitit të kaluar, të mbështetur nga organizatat EcoAlbania dhe Res Publica, 54 banorë paditën Këshillin e Basenit Vlorë, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Bashkinë Himarë, duke kërkuar pezullimin e projektit.
Por, pavarësisht se çështja është ende në gjykatë, kompania ndërtuese ka rinisur punimet, duke zhvendosur tubat në territorin e Parkut Kombëtar të Vjosës. Kjo ka shkaktuar reagime të forta nga banorët dhe organizatat mjedisore, të cilët theksojnë se ndërhyrja në Park përbën një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e tij.
Kjo është beteja e dytë për mbrojtjen e Shushicës. E para, kundërshton ndërtimin e 4 hidrocentraleve dhe shënoi këtë vit fitore në shkallën e parë të Gjykatës Administrative./citizens.al