Ja pse Bayerni është favorit ndaj Real Madridit

Zidane triumfoi sezonin e kaluar me një sistem të rrotacionit ekstrem. Ndeshjet kyçe, kryesisht në Ligën e Kampionëve, u luajtën me ekipin A (atë titullar), të komanduar nga Cristiano Ronaldo. Përdorja në La Liga e “njësisë B”, me James dhe Morata, veç të tjerëve, ishte mjaft e efektshme.
Kjo është mënyra se si Real Madridi fitoi titullin në La Liga dhe Champions-in, prandaj do të ishte normale të përsëritej edhe këtë vit, po të mos ishte largimi i disa futbollistëve dhe pjesëmarrja e ulët e lojtarëve të rinj (Ceballos, Vallejo, Llorente, Theo, Mayoral). 11-shja e zakonshme e “Los Blancos”, ajo titullare, mbërrin në këtë fazë të sezonit me më shumë minuta në këmbët e saj.
Dhe kjo është reflektuar në krahasimin midis dy formacioneve tip teorik të Real Madridit dhe atij të Bayern Munich. 11-shja tip e skuadrës gjermanëve ka 29.963 minuta në këmbë, ose 4.000 minuta më pak se 11-shja e Real Madridit. Kjo e fundit ka 34.270 minuta të luajtura, të shpërndara në këmbët e lojtarëve të formacionit bazë.
Një ndryshim thelbësor në kulmin e sezonit, sepse këmbët tashmë e vënë më shumë re ngarkesën fizike për të garuar në nivelin më të lartë, pasi janë në punë të pandalshme që nga gushti i kaluar. Dhe kur lodhen këmbët, humbet edhe qartësia e kthjelltësia në mendim e veprim te futbollistët.
Më i habitshëm është fakti se vetëm tre lojtarë të Bayern Munich arrijnë kuotën prej 3.000 minutash aktivizim (portieri Ulreich, zbulimi i ri, Kimmich, dhe sulmuesi polak, Lewandowski). Pjesa tjetër e 11-shes tip të gjigandëve bavarezë nuk e arrin këtë shifër. Të mos harrojmë se Heynckes ka punuar me një grup lojtarësh, që kanë shumë vite në elitë, si: Ribery, Robben, Müller, Hummels…
Në skuadrën e Real Madridit, deri në tetë lojtarë e kanë tejkaluar kuotën e 3.000 minutave aktivizim në këtë sezon. Në fakt, vetëm Modric, Isco dhe Benzema nuk e arrijnë këtë shifër. Të dhënat, përtej analizës së minutazhit të grumbulluar, nuk pengojnë për të njohur realitetin e skuadrës së Zidane, që po kalon momentin më të mirë fizik të sezonit.
Të dy kundërshtarët e fundit të “Los Blancos” në Champions, PSG dhe Juventusi (italianët në ndeshjen e parë), e pësuan nga një skuadër me shumë minuta në këmbë, sepse në Ligën e Kampionëve e ndryshojnë plotësisht fytyrën. Bayern Munich, më i vendosur, mund të jetë një tjetër rival, për ta provuar këtë…

Exit mobile version