Ja pse dështoi puçi Berisha-Rama për largimin e Bashës nga Këshilli i Europës

Nga Bato Kosova

Për ata që fatkeqësisht pësojnë propagandën e ethshme anti-Basha në Shqipëri, ku sulmet e sajuara nga Rama dhe Berisha për të goditur imazhin e kreut të Demokratëve Euroatlantikë nuk kanë kufij, as limit buxhetor, prania e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës mund të ketë shkaktuar ndonjë surprizë.

Në fakt të bujshme ishin lajmet për zëvendësimin e Lulzim Bashës si përfaqësues në KiE, me një besnike të Sali Berishës, Albana Vokshin. Në mediat e përbashkëta të Ramës dhe Berishës u shpall si triumf, në veçanti kur theksi vendosej mbi largimin e Bashës nga funksioni si raporter për konfiskimin e aseteve ruse.
Një rol shumë i rëndësishëm që i’u besua kreut të euroatlantikëve, që jo vetëm zbërtheu propagandën e financimeve ruse, e cila u faktua botërisht si një sajesë e Edi Ramës përmes korruptimit të McGonigal, kryeagjentit të kundërzbulimit të FBI-së, por tregoi besimin e partnerëve europianë dhe amerikanë për kapacitetet e Lulzim Bashës.
Një detyrë pra që e vendosi atë në qendër të prozhektorëve ndërkombëtarë, me një çështje të ndjeshme në mbarë globin, e që Basha kreu me sukses, duke çuar në Asamblenë Parlamentare një rezolutë e cila u votua me unanimitet.

Mbështetja dhe përgëzimet publike, kujtojmë përqafimin e ndjerë mes Bashës nga kreu i Parlamentit të Ukrainës, sapo i’u dha drita jeshile rezolutës, për të kuptuar sa janë turbulluar kundërshtarët e tij në Tiranë, që suksesin e tyre e shohin vetëm te eliminimi i rivalit politik.

Një rival politik që i kërcënon, në veçanti kur njihet si një figurë e respektuar kombëtare dhe ndërkombëtare, për të cituar gazetarin e BBC Jonny Dimond, i cili përfaqëson të vetmin kandidat serioz të opozitës për kryeministër, i cili cënon projektet e Ramës dhe Berishës për të mbrojtur pozitat e tyre politike dhe ekonomike.

Prandaj kur sot në Strasburg Rama dhe Berisha kishin projektuar goditjen e radhës të Bashës, duke emëruar Albana Vokshin në vend të Bashës në KiE, shfaqja e tij në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të KiE, ka prishur planet e dyshes.

Jo vetëm sepse nuk arritën të godasin Bashën te një nga pikat e tij më të forta, marrëdhëniet ndërkombëtare, por nuk arritën të fusin në punimet e asamblesë një ushtare anti-SPAK, e cila nuk do të ishte aty për të mbrojtur interesat e Shqipërisë, por do të shërbente si një vuvuzelë e sulmeve të këtushme ndaj prokurorisë së posaçme në gjuhën angleze.

Megjithatë KiE nuk është Parlamenti i Shqipërisë, ku Rama dhe Berisha përmes bedelëve të tyre mund të bëjnë lojëra luftash për të mbrotjur interesat e tyre.
KiE nuk drejtohet as nga Lindita Nikolla, që mbajti në krye të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhin duke i shërbyer non gratës. KiE nuk drejtohet as nga Spiropali, e cila me shumë dëshirë do të financonte fushatën anti-SPAK të Albana Vokshit, në shërbim të dyshes së vjetër të Tiranës, duke e dërguar si komisare të revolucionit me paratë e taksapaguesve shqiptarë, që në masën 70% mbështesin SPAK.

Fatmirësisht, intrigat dështuan, jo sepse nuk larguan dot Bashën, por sepse nuk arritën të cenojnë imazhin e Shqipërisë, e cila kërkonte të zëvendësonte politikanin që luftoi krah partnerëve për sekuestrimin e aseteve ruse, me një ushtare të dyshes Rama-Berisha, që po luftojnë në mënyrë të përbindshme për të shpëtuar asetet e tyre nga SPAK./Alfapress.al

Exit mobile version