James te Juventus

Të shtunën, Juventusi do të luajë ndeshjen e fundit të këtij sezoni, pasi do të sfidojë Milanin në finalen e Kupës së Italisë, por në shtëpinë bardhezi nuk mendojnë vetëm për duelin ndaj kuqezinjve, por edhe për merkaton. Shumë gjëra do të varen nga ajo çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Alvaro Moratës, por nëse sulmuesi spanjoll largohet për t’u rikthyer te Reali i Madridit, është e sigurtë që kampionët e Italisë do të blejnë të paktën një futbollist të madh. Gazeta “Corriere Dello Sport” së fundmi ka raportuar për një interesim të mundshëm të Juventusit për mesfushorin kolumbian të Realit të Madridit, James Rodriguez. Në ditët e ardhshme do të ketë një takim mes drejtuesve të Los Blancos dhe atyre bardhezi për të disktuar çështjen Morata, dhe pikërisht në këtë takim, Juventusi do të tentojë të bindë klubin merengues të lejojë transferimin e James në Torino.
Mesfushori i Los Cafeteros nuk po kalon një moment të mirë në Madrid, pasi në këtë sezon si me Benitez, ashtu edhe me Zidane në drejtim ka gjetur shumë pak hapësira në formacionin e Realit, dhe kjo është një nga arsyet kryesore që Rodriguez po mendon largimin nga kryeqyteti spanjoll. Juventusi konsiderohet si një opsion i mirë për të vijuar karrierën nga ana e futbollistit kolumbian, por pengesë në këtë operacion merkatoje mund të bëhet shifra e lartë që kërkojnë Los Blancos për James. Drejtuesit e Realit duan të përfitojnë mbi 70 milionë euro nga shitja e tij edhe pse në shtëpinë bardhezi shpresojnë që gjithçka të mbyllet me sukses për një shumë jo më të lartë se 60 milionë euro.
Paulo Dibala nuk kënaqet me pak, përkundrazi, ka objektiva konkretë edhe për sezonin e ardhshëm. Pas fitores së Superkupës së Italisë dhe ndërkohë të kampionatit, sulmuesi argjentinas kërkon ta mbyllë në mënyrën më të mirë këtë sezon, duke fituar edhe Kupën e Italisë, kundër Milanit. “E kemi nisur këtë sezon duke fituar Superkupën ndaj Lacios, të luajtur në Shangai, një emocion i veçantë për mua, ndonëse atë nuk do ta krahasoja kurrë me suksesin në kampionat. Por këtë vit të parë te Juventusi dua ta mbyll ashtu siç e nisëm, duke festuar. Do të ishte e drejtë dhe ndoshta e detyrueshme që ta mbyllnim rrethin, duke fituar edhe Kupën e Italisë. Vetëm kështu ky sezon i parë si juventin do të kurorëzohej në mënyrën e duhur”, u shpreh Dibala.
Ai tha më tej se nuk i interesojnë kundërshtarët. “Unë mendoj për skuadrën time. Ne punojmë për të qenë superiorë kundrejt çdo rivali në fushën e lojës, sepse vetëm kështu mund të fitohet. Nuk po them që e nënvlerësoj Milanin, thjesht e respektoj. Në 90 minuta gjithçka mund të ndodhë, ndonëse unë jam i sigurt se ne jemi shumë më të fortë se ata, shpjegon Paulo Dibala, i cili në lidhje me interesimin e Realit të Madridit në orët e fundit, ai e pret shkurt”, tha ai.

Exit mobile version