Neymar te Barcelona deri në vitin 2022?

Rinovimi i kontratës i Neymar Jr me Barcelonën ka hyrë në fazën e tij finale. Duke përjashtuar ndonjë surprizë të mundshme, është thuajse e sigurtë që 24-vjeçari brazilian do të hedhë firmën në marrëveshjen e re, që do ta lidhë me klubin blaugrana deri në vitin 2022. Palët e kanë arritur tashmë akordin dhe pritet vetëm zyrtarizimi i kontratës së re. Fillimisht u fol për një rinovim të brazilianit deri në vitin 2021, por sëfundmi gazeta katalanase “El MundoDeportivo” ka zbuluar se marrëveshja e re që Neymar do të firmosë më Barcën do të zgjasë, 12 muaj më shumë nga sa parashikohej.
Nëse sulmuesi nga vendi i Sambas e respekton deri në fund kontratën e re, Neymar Jr  do ta mbajë veshur fanellën e Barcelonës deri në moshën 30-vjeçare. Për të shmangur interesimin e klubeve të tjera, drejtuesit e skuadrës katalanase në marrëveshjen e rinovimit pritet ta ngrejnë nga 190 në 220 milionë euro klauzolën e largimit të brazilianit, nga “Camp Nou”. Në këtë mënyrë pakësohen shanset e Manchester United dhe Paris Saint Germain që ëndërronin të bënin të tyrin, Neymar-in.

Exit mobile version