Java e arrestimeve? Lu distancohet, Rama: Po fole ti, flas edhe unë

Ambasadori amerikan Lu ka reagur një ditë pas deklaratës së Ramës ku kreu i qeverisë e përktheu heshtjen e ambasadorit amerikan ndaj skandalit Xhafa, në mbrojtjen e të vëllit të dënuar në Itali për trafik droge, si mbështetje politike ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Rama tha dy ditë më parë se “nëse për këtë zallamahi do kishte një grimcë të vërtete për ministrin tonë të Brendshëm, besoj se asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme se para se të flisnin këta do fliste miku ynë, ambasadori amerikan, BE”.
Konteksti politik i deklaratës linte të kuptohej se ndonëse mund të ketë vendime të formës së prerë të Gjykatës italiane, ato nuk kanë asnjë vlerë për sa kohë ambasadori amerikan nuk reagon. Përmes një deklarate të tillë, Rama e bëri fakt të kryer mbështetjen e ambasadorit Lu për Xhafën dhe dosjen për të cilën ai akuzohet, që përfshin vëllanë e tij të dënuar për trafik droge me 7 vite burg në Itali. Deklarata e Ramës u komentua me ironi në media dhe rrjetet sociale dhe rëndoi mbi figurën publike të ambasadorit. Një ditë pas asaj deklarate ambasadori Lu reagoi vetëm përmes dy fjalish. “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur ndaj vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj”. Kaq mjafton për të kuptuar se ambasada amerikane është distancuar politikisht nga Rama në këtë rast. Ajo që duhet kuptuar nga kjo deklaratë kthehet në bumerang për Ramën, i cili nuk e ka kapërdirë lehtë faktin se Lu nuk i ka dalë kësaj here në krah atij dhe ministrit Xhafa për dosjen e drogës që ka dënuar vëllanë e ministrit. Ai ka reaguar pas deklaratës së Lu duke thënë se edhe ai mund të thotë mendimin e tij mbi Lu ashtu sikurse Lu bën të njëtën gjë për të. Reagimi i Ramës shpreh jo vetëm zhgënjim, por mënyra e komunikimit të tij është si një mesazh shantazhues në drejtim të ambasadorit. “Po fole ti, do të flas edhe unë” është konteksti politik që Rama ka lëshuar për ambasadorin. Duket se situata po ndërlikohet dhe gjuha e mesazheve publike me dëshifrime jo vetëm politike është një provë e qartë në këtë drejtim.

Paralajmërohen arrestime
Prokuroria e Krimeve të Rënda do të lëshojë menjëherë urdhër arresti për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe brenda javës së ardhshme, për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Gjermania ka kërkuar arrestimin e Saimir Tahirit, si provë e seriozitetit të Kryeministrit Edi Rama për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe si kusht të patjetërsueshëm për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Kushti gjerman i është komunikuar qeverisë prej disa muajsh, sikurse Exit.al ka raportuar, por Rama u përpoq ta anashkalonte atë, veçanërisht me shpresën se raporti tejet pozitiv i Komisionit Europian, në të cilin çështja Tahiri thuajse nuk përmendej fare, do të mjaftonte për të zbehur kushtin gjerman. Por gjatë vizitës së para tre javëve në Gjermani, Rama kuptoi jo vetëm pashmangshmërinë e kushtit Tahiri, por edhe faktin se ai rrezikon të vihet vetë personalisht në shenjestër të kritikave gjermane për mbrojtje të krimit dhe korrupsionit, nëse nuk lejon arrestimin e Tahirit.
Për këtë arsye, Rama i premtoi Kancelares Merkel se do të lejojë arrestimin e Tahirit dhe mori nga ajo premtimin se në shkëmbim, ajo do të përpiqet për të zbutur qëndrimet skeptike të një numri deputetësh gjermanë.
Ndaj me t’u kthyer nga Gjermania, Rama vuri në veprim planin për të lejuar arrestimin e Tahirit, por në mënyrë që të mos rrezikojë as Tahirin dhe as veten. Tahirit i bëri të qartë se, mosarrestimi i tij mund të kthehej në bumerang, pasi mund të rrezikojë vetë pushtetin e Ramës, pa të cilin fundosen të dy, edhe Tahiri edhe Rama. Tahiri u bind dhe zgjodhi rrugën e dorëheqjesnga deputet për t’i shpëtuar vetes dhe shumicës socialiste spektaklin e sesionit parlamentar për heqjen e imunitetit nga arresti.
Por ndërsa gjermanët kërkojnë arrestimin e Tahirit për drejtësi, ambasadori amerikan Donald Lu kërkon arrestimin e Adriatik Llallës për interes vetjak. Përplasja Lu-Llalla tashmë është e ashpër dhe personale, por Lu ka një arsye racionale që e do Adriatik Llallën të arrestuar: ai kërkon të dëmtojë çdo lloj besueshmërie të Llallës, në mënyrë që nëse Llalla do të flasë apo dëshmojë ndonjëherë kundës Lu-së, për shumë veprime të dyshimta të këtij të fundit nga çështja Bankers tek ndërhyrjet e vazhdueshme në çështje të Prokurorisë, dëshmitë e tij të mos kenë besueshmërinë për ta dëmtuar Lu-në në karrierë apo më tej.

Llalla e ka provuar në të shkuarën se është i gatshëm të dëshmojë kundër Lu-së, siç tentoi të bëjë para Kongresit Amerikan para më shumë se një viti, ndaj ai mbetet rrezik i vazhdueshëm për Lu-në, aq më tepër kur është e besueshme të mendohet se për të siguruar ndalimin e hyrjes së Llallës në SHBA, Lu mund të ketë shtrembëruar apo dhënë informacione të pavërteta në Departamentin e Shtetit për Llallën dhe marrëdhënien e tij me të.
Lu është i vetëdijshëm se në çastin që do të largohet nga Shqipëria, ai nuk do të ketë më asnjë lloj pushteti dhe ndikimi, as në Shqipëri dhe as në Departamentin e Shtetit, ndaj po ushtron trysni të shtuar mbi Prokurorinë që “çështjen Llalla” ta zgjidhë brenda datës 20 korrik, datë kur ai largohet përfundimisht nga vendi ynë.
Nga ana tjetër, dyshja Rama-Lu është nën presionin e opinionit publik, shqiptar dhe ai ndërkombëtar, për të treguar dëshmi për përparimin e Reformës në Drejtësi, në një kohë kur reforma po dështon në mënyrë spektakolare, duke e çuar drejtësinë shqiptare në gjendje katastrofike: institucionet themelore të administrimit të sistemit të drejtësisë KLGJ dhe KLP nuk janë krijuar ende gati dy vjet pas miratimit të reformës dhe nuk ka asnjë mundësi që ato të krijohen as në katër muajt e ardhshëm; SPAK dhe Byroja e Hetimit nuk mund të krijohen gjatë këtij viti; Gjykata Kushtetueseështë krejtësisht e shkatërruar, pasi nuk ka më as numrin minimal të domosdoshëm për të zhvilluar seanca; Gjykata e Lartë është krejtësisht e paralizuar; sistemi i Prokurorisë është i gjithi në kushte ekstraligjore dhe antikushtetuese, dhe nën kontrollin e plotë politik të Kryeministrit Rama dhe Ambasadorit Lu.
Këtë dështim të reformës, Rama dhe Lu mund ta mbulojnë përkohësisht duke arrestuar Tahirin, pa shumë dëshirë, dhe Llallën me shumë dëshirë, për t’i “shëtitur” arrestet e tyre para gjithë botës si trofe të triumfit të Reformës në Drejtësi.
Por për të arritur këto objektiva dhe në mënyrën e dëshiruar, dyshja Rama dhe Lu kishte një pengesë të qartë, Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e vetmja njësi e Prokurorisë që nuk është nën kontrollin e Ramës dhe Lu-së dhe e cila ka treguar se nuk është shumë e gatshme të hedhë vallen Rama-Lu ose të paktën jo me ritmin Rama-Lu.

Në rastin e Tahirit, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk i garantonte dot Ramës zbatimin e paktit të tij me Tahirin për një arrest të përkohshëm dhe hetim “të kontrolluar” për të mos çuar në dënim të rëndë. Pakti Rama-Tahiri u rrezikua shumë javën e fundit, pasi prokurorët e çështjes kanë siguruar prova që tregojnë qartë lidhjet e ngushta të Tahirit me Habilajt dhe arrestimi i tij ishte i pashmangshëm.
Ndërsa në rastin e Llallës, Prokuroria e Krimeve të Rënda ndonëse ka hetuar nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të akuzuar zyrtarisht dhe arrestuar Llallën. Pavarësisht, sulmeve dhe akuzave të rënda disa mujore publike të Lu-së kundër Llallës, pavarësisht një fushate të sponsorizuar direkt prej tij në media për të krijuar idenë e krimeve të rënda të kryera nga Llalla-kundër Llallës nuk janë gjetur prova të besueshme për veprime kriminale. Në këto kushte, presioni direkt i ambasadës amerikane përmes funksionarëve të saj të niveleve më të larta-shkelje skandaloze e çdo ligji ndërkombëtar, amerikan dhe shqiptar-prokurorët e Krimeve të Rënda nuk kanë lëshuar dot akuza zyrtare dhe urdhër arresti për Llallën.
Këto pengesa të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dyshja Rama-Lu e zgjidhi me një tjetër veprim në dhunim të ligjit dhe të Kushtetutës: shkarkimin e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe zëvendësimin e tij me Donika Prelën, ish-prokuroren e Durrësit, person i afërt dhe e besuara e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku.
Ndryshimi i drejtimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda hapi rrugën për arrestimin “e kontrolluar” të Saimir Tahirit dhe arrestimin arbitrar të Adriatik Llallës.
Tashmë, është çështje ditësh, në mos orësh, para se Prokuroria e Krimeve të Rënda të lëshojë urdhër arrestet, fillimisht, për Saimir Tahirin dhe më pas për Adriatik Llallën.
Se çfarë do të ndodhë më vonë është e vështirë të parashikohet. Edi Rama nuk do me të vërtetë dënimin e Saimir Tahirit dhe do të përpiqet ta menaxhojë me kujdes fatin e hetimeve të tij. Mbetet të shihet nëse drejtueset e Prokurorisë, Marku dhe Prela do të vazhdojnë t’i shërbejnë deri në fund Ramës, duke rrezikuar karrierën e tyre.
Ndërsa hetimet ndaj Adriatik Llallës kanë pak gjasa të shkojnë përpara, pavarësisht arrestimit apo jo të tij, pasi ato janë pa asnjë bazë dhe provë. Për më tepër, me largimin përfundimtar të ambasadorit Lu më 20 korrik të këtij viti, do të largohet edhe trysnia ndaj Prokurorisë për çështjen Llalla.
“Exit.al”

Exit mobile version