Kryetari i Degës së PD në Vlorë, Genc Deromemaj, ka publikuar sot të dhënat e një tenderi korruptiv që po bëhet nga Spitali i Vlorës. Në një reagim, kreu i PD në Vlorë shkruan se, për 4 vitet e ardhshme, një firmë nga Tirana do përfitojë 820 milion lekë të vjetra për të gatuar dhe shpërndarë Ushqimin në Spitalin e Vlorës.
Ai rendit disa pyetje e shprehet se si ka mundësi që si të gjitha tenderat e Shëndetësisë, fitues është ai me çmimin më të lartë. “Cilat janë kriteret e kësaj mënyre përzgjedhjeje? Përse në Vlorë, për Pushtetin, fitojnë gjithmon firma JoVlonjate (edhe pse firmat Vlonjate bëjnë oferta më të ulëta)!? Përse të pushohet nga puna personeli me përvojë mbi 30 vjet i kuzhinës?”, shton më tej ai.
Reagimi i plotë
Në Spitalin Rajonal të Vlorës, Konçesioni vjen më shpejt se Virusi! Nga njëra anë, Drejtoresha e spitalit njofton çdo ditë se Vlora nuk ka asnjë të infektuar, por nga ana tjetër nuk thotë asnjë fjalë për dhënien me Konçesion të kuzhinës së spitalit! Nga konçesioni nuk shpëton as Shërbimi i gatimit dhe Shpërndarja e ushqimit në Spitalin e Vlorës!
Për 4 vitet e ardhshme, një firmë nga Tirana (si gjithmon fituesi), do përfitojë 820 milion lekë të vjetra (pa tvsh) për të gatuar dhe shpërndarë Ushqimin në Spitalin e Vlorës! Dr. e Spitalit është vendosur menjëherë në shërbim të Konçesionarit.
Me arrogancën që e karakterizon, të cilën tashmë ia njohin të gjithë, ka ushtruar presion mbi Personelin e Kuzhinës së spitalit, duke i detyruar që të firmosin “me vullnetin e tyre” dorëheqjen nga puna.
Si ka mundësi, që si të gjitha tenderat e Shëndetësisë, fitues është ai me çmimin më të lartë? Cilat janë kriteret e kësaj mënyre përzgjedhjeje? Përse në Vlorë, për Pushtetin, fitojnë gjithmon firma JoVlonjate (edhe pse firmat Vlonjate bëjnë oferta më të ulëta)!? Përse të pushohet nga puna personeli me përvojë mbi 30 vjet i kuzhinës?
Si mund të hidhen në mes të katër rrugëve, sidomos në këto kohë të vështira që po jetojmë? Edhe si përfundim: Sa është numri i të shtruarëve në spitalin e Vlorës, të cilët do të ushqehen me 20 milion lekë të vjetra në muaj???