“Jetojmë 11 veta në shtëpi, punë nuk ka”/ Emigracioni “shuan” Hasin, të rinjtë ikin – familjet e mbetura jetojnë me borxhe dhe ushqimet i marrin me listë

Emisioni investigativ Vetting

Emigracioni shuan qytetet e vogla
Dikur, rrugët e Hasit ishin të gjalla, të mbushura me fëmijë dhe të rinj. Por sot, ato rrugë janë shndërruar në zbrazëti pa fëmijë, pa të rinj…pa jetë. Papunësia e lartë dhe varfëria që dominon këtë qytet kanë bërë që shumë prej tyre të detyrohen të braktisin atdhenë dhe të kërkojnë mundësi në perëndim. Të rinjtë e Hasit i kanë sytë tek emigracioni me destinacion Britaninë. Nuk ka familje që të mos ketë të paktën një anëtar që ka emigruar në Britani. Ky fenomen nuk është thjesht një pasqyrim i mungesës së mundësive vendase, por një dëshmi e tragjedisë që po shuan shpresat e të rinjve për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Në këtë rrugëtim, do të shohim realitetin e hidhur të disa familjeve në Has, të cilat jetojnë me ndihma ekonomike, me borxhe për ushqime dhe shpresojnë vetëm për një mundësi të vogël pune që do të mund t’i nxjerrë nga ky qark i mbyllur i varfërisë. Një luftë për të mbajtur gjallë familjet e tyre, ndërsa shohin se si të rinjtë ikin drejt së panjohurës për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit.

Në Has, shumë familje janë të detyruara të bëjnë sakrifica të mëdha për të mbajtur veten dhe fëmijët e tyre gjallë. Gratë e moshuara, të cilat ndajnë historitë e jetës së tyre të dhimbshme, flasin për mangësinë e thellë që ka mbërthyer çdo aspekt të jetës së tyre

Ato nuk mund të blejnë ushqimet bazë, dhe shpeshherë janë të detyruara të marrin ushqimet me borxhe, duke i shkruar emrin në listën e borxheve pranë dyqanit të lagjes. Në këtë mënyrë, ato janë të detyruara të kërkojnë mësymjen e një shprese që nuk vjen kurrë.

 

“Nuk kemi kushte, nuk ka ku shkon më keq, punësim hiç, jemi të gjithë në shtëpi, kushte më të dobëta se kaq nuk ka”.

“Jetojmë me ndihmë ekonomike, 5000 lekë, kemi shkuar 2-3 herë për punë por nuk kemi”.

“Këtu jeton djali vetë i pesetë, djali tjetër është veti i katërt, me një fjalë jemi, 2, 5, 4 i bie 11 veta që jetojmë këtu në kushte të vështira”.

Ky është realiteti i një familje që po përpiqet të mbijetojë, duke pritur që një mundësi të vogël pune të ndihmojë për të kaluar ditën, por që fillimi ditës dihet e mbarimi i saj kalon në kufijte e një ditë të zakonshme sikurse në qytetet e tjera të vendit tonë.

Gruaja e moshuar e përmend shpesh se ushqimet për fatin e keq po konsiderohen luks. Kërkesa për të mbajtur fëmijët e saj të vegjël të ushqyer, e ka tërhequr në një spirale të hidhur borxhesh që nuk ka fund. Papunësia është një fenomen i përhershëm dhe kërkesa për punë ka mbetur një iluzion i largët.

“Ushqimet i blejë me borxhe duke shkruar emrin në listën e dyqanit, jemi pa punë, nuk mundemi t’i blejmë. Punë s’ka, gjë s’ka”, shprehet e moshuara.

(BalkanWeb)

Exit mobile version