Mbeturina të gjithfarëllojshme të hedhura kudo dhe vatra zjarri të ndezura për djegien e tyre, kjo është pamja që të ofron lumi i Tërkuzës në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës.
I ndodhur pranë aksit kombëtar Tiranë-Fushë Krujë, ku kryeqyteti lidhet me veriun e Shqipërisë, ndotja në fshatin Qerekë është në nivele alarmante. Mbetje të materialeve plastike, qelqe, lëndë drusore dhe mbeturina të konsumit familjar janë të hedhura përgjatë gjithë gjatësisë së shtratit të lumit Tërkuzë, duke shqetësuar komunitetin atje.
Një prej banorëve të Qerekës thotë se përgjegjësia e pushtetit lokal qëndron në mospastrimin e shtratit të lumit, ndërsa shton se përgjegjës për ndotjen janë edhe vetë qytetarët.
Kur Lumi Tërkuzë ka prurje të mëdha rrjedha e tij merr përpara mbetjet e hedhura përreth, duke shkaktuar ndotje dhe dëmtim të biodiversitetit nga burimi i tij në Tiranë deri në grykëderdhjen e Lumit Ishëm. Më pas një pjesë e mbetjeve akumulohen në rërë dhe pjesa tjetër përfundojnë në Detin Adriatik, ku jo në pak raste Kroacia ka ngritur shqetësimin se mbeturina të ardhura nga Shqipëria kanë përfunduar në brigjet e tyre detare.
(BalkanWeb)