Jo reformë për ti gjetur vende pune Dvoranit dhe Ibrahimit

-Pse duhet një draft paralel zoti Basha kur është rënë dakord që baza e Reformës në Drejtësi të jetë drafti i dy ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS?
Basha: Konstatimi i dytë është i gabuar Everest. Vetë ekspertët kanë shkruajtur të kuqe mbi të bardhë që këtu ka një sërë çështjesh politike që kërkojnë rakordim politik. Dhe për ta bërë procesin transparent dhe për të mos e lënë pre të keqinformimit të publikut, sa me dashje nga ata që e kanë vonuar me të vërtetë reformën për dy vite me radhë e sa padashje nga ata që nuk e dinë se çfarë është reforma. Opozita për këtë pjesë të kuqe mbi të bardhë, për zgjidhjet politike, po ofron vizionin e saj në përputhje me rekomandimet e “Venecias”.
Në fakt i takonte mazhorancës ta bënte, nuk e ka bërë. Arsyet përse nuk e ka bërë është më mirë të mos i paragjykojmë meqë kërkojmë dialog me ta. Por opozita edhe kësaj radhe po tregon se ka kredibilitetin dhe vullnetin për të ecur përpara me reformën. I takonte mazhorancës t’i kishte hedhur këto hapa. Po i hedhim ne këto hapa edhe në raport me komponentin antikorrupsion.
Ata sollën një reformë të orientuar nga kapja politike e sistemit me Saimir Tahirin nën një sqetull me pajisje përgjimi dhe nën sqetull tjetër BKH-në. Ne e sollëm  në një reformë standard, pra e hoqëm zvarrë nga duart e atyre që donin ta kapnin sistemin e sollëm këtu, por ka nevojë për përmirësime të tjera. Po ku në fund të fundit kemi një sistem që i shërben qytetarëve, jo politikanëve, i shërben qytetarëve dhe jo politikës.
Qytetarët kanë nevojë për një gjyqësor të pastër nga korrupsioni, për një prokurori të pastër nga korrupsioni që heton dhe vë para përgjegjësisë penale apo para përgjegjësisë civile shkelësit e ligjit sipas ligjit. Dhe jo sipas porosive të Edi Ramës, apo të Ilir Metës, jo sipas pasurisë apo influencës të Klement Balilajt, apo të Habilajt, apo të Emiljano Shullazit por sipas ligjit. Ky është thelbi i Reformës në Drejtësi dhe Partia Demokratike, në fakt nuk dua të flas për veten time, por ekspertët tanë meritojnë dhe sot kanë përgëzimin tim maksimal që edhe në këtë hap ne jemi përpara mazhorancës. Po shkojmë me një draft për atë që na kërkohet nga “Venecia”, nga komuniteti ndërkombëtar, zgjidhjet politike për strukturën e sistemit.

-Zoti Basha, sa i takon strukturës, Partia Demokratike kërkon thjeshtëzim të arkitekturës së sistemit të drejtësisë me heqjen e të paktën tre institucioneve. A rrëzohet kështu Reforma në Drejtësi, PS ka thënë që në fillim se arkitektura e drejtësisë nuk preket? E ka thënë edhe “Venecia”
Jeni të keqinformuar kur citoni “Venecian”, duhet të kini pak më shumë informacion. Ju takon të kini më shumë informacion kur citoni një nga organet më superiore të drejtësisë në Europë siç është “Venecia”. “Venecia” e ka thënë e para që sistemi është tepër i komplikuar dhe duke qenë kaq i komplikuar kemi dyshime se mund të qëndrojë në këmbë dhe se Shqipëria ka kapacitetin e mjaftueshme ta mbajë  në këmbë.
Pas kësaj thotë që ne takuam Fatmir Xhafën dhe Fatmir Xhafa siguroi që në Shqipëri ka mjaftueshëm njerëz që sistemi të qëndrojë në këmbë dhe ne jemi të përgatitur të pranojmë një sistem të tillë, në qoftë se palët bien dakord. Mos ta harrojmë këtë pjesë të rëndësishme.
Po tani në qoftë se Fatmir Xhafa ka thënë që ne kemi 12 persona që do t’i paguajmë sa Presidenti i Republikës dhe shtatë të tjerë që do t’i paguajmë  dy herë sa Kryeministri për të bërë gjyqtarin e gjyqtarëve, kur shqiptarët kanë 25 vite tranzicion që shohin se ne mezi gjejmë anëtarët e përshtatshëm për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë atëherë kjo s’kërkon një analizë të thellë akademike, ligjore e politike. Shqiptarët e dinë që ne vuajmë për kapacitete të tilla. Kush janë këta 12 fatosa dhe 7 pionierë që do marrin përsipër?!
Arkitektura e sistemit mund dhe duhet të thjeshtohet për t’i shërbyer sistemit, për t’i shërbyer qytetarëve.
Ne ecim me propozime, të cilat i shërbejnë qytetarëve. Në qoftë se duam t’i gjejmë vend pune Sokol Sadushit, Genti Ibrahimit, Ardian Dvoranit, Kristaq Trajës, Fatmir Xhafës në qoftë se e ka ndërmend për nesër, Enkelejd Alibeaj në qoftë se ka aspiratë të hyjë, atëherë hajde të bëjmë një reformë që t’i gjejmë punë 17 vetave me rrogë 6 milionë lekë në muaj. Por kjo nuk është Reformë në Drejtësi.
Gjërat janë shumë të thjeshta dhe nuk duhet të fshihemi pas paragjykimeve. Partia Demokratike është futur me vullnet të pastër për t’i dhënë shqiptarëve një sistem drejtësie që funksionon. Jo një sistem drejtësie që punëson me rroga të majme njerëz politikë. Jo një sistem bipartizan, një sistem jopartizan.
Këto propozime sot kanë marrë formë të plotë dhe i ka marrë Grupi Parlamentar. Javën e ardhshme do të mblidhemi përsëri, si një parti e debatit të hapur, jo e misterit, si një parti e mendjes së hapur, jo e syve të mbyllur dhe dorën lart për diçka që nuk e ka lexuar njeri. Do diskutojmë. Një diskutim, i cili po kështu do të jetë publik, do të ndahet me qytetarët. Do të ndahet edhe me ju gazetarët që edhe ju të keni mundësinë të gjykoni se çfarë zgjidhjesh propozon Partia Demokratike dhe pse zgjidhjet tona funksionojnë. Sigurisht janë zgjidhje standard dhe janë zgjidhje, tek kjo këmbëngul, në përputhje me atë çfarë ka thënë Komisioni i Venecias.

Exit mobile version