Tahiri mashtroi Komisionin parlamentar të Sigurisë

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mashtroi Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare  duke deklaruar se, Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk ka pajisje përgjuese. Me këtë deklaratë Tahiri ka kundërshtuar vetveten, sepse tre ditë më parë ai deklaroi publikisht në emisionin “Top Story” se ekziston një pajisje përgjuese, por ajo po përdoret për trajnimin e punonjësve të policisë në Akademinë e Rendit.
Gjatë një bisede në “Top Story” lidhur me përgjimet e paligjshme nga policia, Tahiri tha se policia ka një pajisje përgjimi, e cila ka ardhur disa javë më parë në Shqipëri. “Policia ka një pajisje përgjimi, e cila ka ardhur disa javë më parë në Shqipëri. Ajo pajisje i përket partnerëve të huaj të policisë dhe është vetëm për çështje trajnimi të punonjësve të policisë”, deklaroi Tahiri.
Në fillim të seancës, drejtuesi i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka është përplasur me ministrin Tahiri. Ky i fundit është thirrur të dëshmojë në Komision për pajisjen ilegale përgjuese të policisë, por filloi duke treguar reformat e qeverisë për Policinë e Shtetit. Tahiri u shpreh se, trashëguan një polici të degraduar, por ka ndërhyrë menjëherë drejtuesi i Komisionit Flamur Noka, i cili i ka kërkuar të mos tregojë se çfarë reformash kanë bërë, por të flasë vetëm për çështjen për të cilën ishte thirrur në Komision për të dëshmuar, për pajisjen e përgjimeve. Pas insistimit të Nokës për t’iu përmbajtur çështjes së pajisjes së përgjimit, Tahiri u shpreh se, Policia e Shtetit do të përdorë çdo pajisje që është e ligjshme.
Tahiri tha më tej se në policia ka vetëm pajisje përgjimi, sipas ligjeve, që përdoren për trajnim të punonjësve të policisë. Por deputeti i PD, Asllan Dogjani iu drejtua tahiri se si ka mundësi që policia të trajnohet për përgjime nme pajisje përgjimi në një kohë që kjo e drejtë është vetëm e Prokuroprisë dhe jo e policisë?! Ministri Tahiri nuk preferoi t’i përgjigje pyetjes së deputetit Dogjani.
I pyetur nga Noka se përse kjo pajisje përgjimi ishte dërguar fillimisht në Vlorë, Tahiri u përgjigj se, pajisjet e përgjimit të policisë mund të dërgohen në çdo komisariat për trajnim. “Ajo mund të përdoret edhe në ujë edhe nën tokë”, tha Tahiri, duke u shprehur se nuk mund të flasë për specifika të tjera, pasi kjo është e drejtë e policisë.
Para Tahirit dëshmoi në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili mbajti të njëjtin qëndrim si Tahiri, duke deklaruar se nuk ka asnjë pajisje përgjimi në Policinë e Shtetit. Deputetët socialistë kanë ndërhyrë sa herë që deputetët e opozitës i drejtonin pyetje Çakos për të mos e lejuar që të shprehet lirisht për pajisjen e përgjimit.
Pajisja e përgjimit është instaluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku është përgjuar Kreu i Shtetit, kryetari i opozitës, dhe kundërshtarët e Ramës si dhe personalitetet të ambasadave të huaja dhe gazetarë. Ky sknadal me përmasa të mëdha ka tronditur opinionin publik, ndërsa Tahiri dhe vartësit e tij mundohen ta fshehin.
Pajisja e përgjimit ndodhej në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ndërsa të martën është larguar natën prej andej dhe është dërguar në Akademinë e Rendit ku edhe është manipuluar.

Exit mobile version