Juventusi vijon kërkimet për pasuesin e Leonardo Bonuccit në mbrojtje. Marotta po studion emrat e kandidatëve në ditët e fundit të merkatos, por jo me objektivin për të bërë një operacion të shtrenjtë për arkën e klubit. Benedikt Howedes është emri i ri që i pëlqen edhe trajnerit Alegri, teksa mbrojtësi gjerman ka dhënë sinjale se dëshiron të largohet nga Schalke. Oferta për 29-vjeçarin mund të jetë huazim me të drejtë blerjeje, por nuk do të jetë e lehtë, pasi ka konkurrencë edhe nga Liverpooli me Interin për mbrojtësin, i cili ka një kontratë deri në 2020 me “blutë mbretërorë”.
Andrea Belotti është i destinuar të qëndrojë te Torino. Sulmuesi italian që fillimisht kërkohej nga Milani dhe së fundmi nga Monaco nuk do të transferohet në Principatë, pasi drejtuesit e klubit francez e konsiderojnë të lartë klauzolën e tij. Mësohet se oferta për Torinon ishte 80 mln euro bashkë me një sërë bonusesh, por presidenti Cairo insiston vetëm te klauzola 100 mln euro çka ka bërë që negociatat të shkojnë drejt dështimit.