Pavarësisht humbjes me rezultatin 2-1 në Kopenhagen, Qarabag, ku luan edhe kapiteni i Shqipërisë, Ansi Agolli, do të vijojë ëndrrën e saj në fazën e Champions League falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë. Liverpooli, Sportingu i Lisbonës, Cska e Moskës, Apoel Nicosia dhe Qarabagu, janë 5 skuadrat e fundit që siguruan një biletë për në fazën e grupeve të UEFA Champions League. Kualifikim historik për skuadrën azere, që falë edhe kapitenit të kombëtares shqiptare Ansi Agolli arriti të eliminonte FC Copenghagen për të qenë për herë të parë mes 32 skuadrave më të mira të Europës. Një gol i mjaftoi Qarabagut që pavarësisht se humbi 2-1 në transfertën daneze ndaj FC Copenhagen kaloi më tej, pasi kishte fituar 1-0 në ndeshjen e parë. Ishte i Agollit asisti i golit të barazimit provizor të Qarabagut që u shënua nga sulmuesi afrikano-jugor Ndllovu, ndërkohë që për vendasit e Copenhagenit realizuan, Santander dhe Pavloviç. Gjithçka e lehtë për Liverpoolin që pas suksesit 2-1 në Gjermani ndaj Hoffenheimit arriti ta mposhtë formacionin nga Bundesliga edhe në Anfield Road me rezultatin 4-2.
Emre Can me një dygolësh, por edhe Salah e Firmino ishin ata që çuan Liverpoolin te fitorja, ndërkohë që për miqtë realizuan Uth dhe Sandro Wagner. Fitore fantastike ajo e Sportingut të Lisbonës që, pasi barazoi 0-0 në shtëpi arriti ta mposhtë 5-1 Steuan e Bukureshtit në transfertë për t’u kualifikuar në fazën e grupeve. 2-0 fitoi në Rusi Cska-ja e Moskës përballë Young Boys me skuadrën zvicerane që u eliminua me rezultat të përgjithshëm 3-0. Apoel Nicosia, ndërkohë shfyrtëzoi eksperiencën, duke mbrojtur me fanatizëm fitoren 2-0 të ndeshjes së parë ndaj Slavias së Pragës, pasi sfida e zhvilluar në kryeqytetin çek përfundoi në barazim pa gola.
Hadërgjonaj te skuadra e Premierligës
Mbrojtësi i djathtë i Kombëtare së Zvicrës, kosovari Florent Hadërgjonaj është larguar nga Inglostadt për të kaluar në Premierligë te skuadra e promovuar këtë vit, Huddersfield. Lajmi është konfirmuar nga të dy skuadrat, ndërsa Hadërgjonaj do të qëndrojë për një sezon i huazuar.
“Huddersfield njofton se, ka arritur marrëveshje me Inglostadt për huazimin njëvjeçar të mbrojtësit të djathtë, Florent Hadergjonasj”, thuhet në njoftimin e skuadrës angleze. Hadërgjonaj i bashkohet edhe lojtarëve të tjerë shqiptarë që luajnë në Premierligë si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi.
Vllaznia dhe Shkëndija U-19 debutojnë në “UEFA Youth League”
Historike, Vllaznia pjesë e Champions League. Tashmë është zyrtare, kuqeblutë 19-vjeçarë, të cilët janë dhe kampionët në fuqi, në kampionatin e të rinjve për këtë grupmoshë, kanë arritur të sigurojnë pjesëmarrjen në UEFA Youth League, kompeticion i ngjashëm me Champions League. Ky është një moment historik për ekipin e të rinjve shkodran, pasi kjo është hera e parë që ata arrinë të sigurojnë pjesëmarrjen në një kompeticion të tillë, kaq të rëndësishëm të futbollit europian, ku sigurisht do t’i shërbejë dhe talenteve të reja për t’u ekspozuar në arenën ndërkombëtare. Miratimi ishte dhënë me kohë nga zyrtarë të UEFA-s, por tashmë ka ardhur dhe konfirmimi zyrtar. Skuadra e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani, i emëruar vetëm pak ditë më parë, rreshtohet mes akademive më të rëndësishme të Europës.
Një tjetër detaj, i cili i shërben shumë ekipit të Vllazninsë U-19 është shuma që ata do të përftojnë nga pjesëmarrja në UEFA Youth League. 150 mijë euro, që do t’i shërbejnë skuadrës, për të mbuluar shpenzime të ndryshme. Moment historik edhe për U-19 e Shkëndijes së Tetovës, të cilët gjithashtu do të jenë pjesë e këtij kompeticioni, për të parën herë. Konfirmimi ka ardhur nga zyrtarë të UEFA-s, të cilët përmes Federatës së futbollit maqedonas, i njoftuan se ekipi i Shkëndija U-19 si kampione e vendit, i jepet e drejta të jetë pjesë e fazës së grupeve. Pas sukseseve të arritura nga skuadra e parë, në kalimin e tureve të Europa League deri në sigurimin e fazës së Play-Of, në po të njëjtën vijë po ecën edhe ekipi i moshave. Arritje e madhe për një klub që po ecën me hapa galopant në arenën e futbollit maqedonas, por edhe atë europian.