“Juventusi nuk di t’i fitojë finalet”

Një gol i tij (në pozicion jashtë loje) shtriu Juventusin dhe i dhuroi Realit të shtatën Champions në histori. Dhe, me shumë mundësi, 19 vite më pas të dyja këto skuadra do të gjenden sërish përballë njëra-tjetrës, të shtunën e 3 qershorit. Por ashtu si atëherë, Predrag Mijatoviç, ish-sulmuesi serb i “merengeve”, u lëshon një tjetër “silur” bardhezinjve.
“Juventusi dhe Reali e kanë prenotuar tashmë finalen e Kardifit dhe janë në një moment të mirë, por Juvja është një ekip humbës në Champions. Ndërsa Reali i Madridit, sa herë që shkon, di të fitojë”.
Ndoshta do të jetë për të kaluarën e tij si drejtues (drejtor sporti) dhe futbollist i Realit të Madridit, apo qoftë edhe për tri vitet e kaluara te Fiorentina, një qytet dhe një skuadër që e urren “Zonjën e Vjetër”. Por fakt është që Predrag Mijatoviç, “killeri” i Juves në finalen e Amsterdamit në vitin 1998, nuk ka dyshime se cila do ta ngrejë trofeun në finalen e Kardifit, sivjet.
“Duke parë rezultatet e vendosura në dy gjysmëfinalet e para, mund të them me siguri se finalja do të jetë Real-Juventus. Juvja ka një kompaktësi taktike të frikshme, mbrohet mirë dhe sivjet ka edhe shumë cilësi përpara. Është një skuadër shumë e rrezikshme, e cila ka pësuar vetëm dy gola, një ekip i vështirë për t’u përballuar dhe me shumë eksperiencë.
Të dyja do të shkojnë në Kardif në një formë të shkëlqyer, duke qenë se që të dyja do t’i kenë fituar dy kampionatet respektive. Por që kur ekziston ky format i ri, Juventusi është gjithashtu një skuadër humbëse në finalet e Champions-it. Ka humbur katër, në mos gaboj, dhe 6 në total, ndërsa Reali i ka fituar të pesta ku ka marrë pjesë.
Dhe nga kjo pikëpamje, vërtet Juventusi duhet respektuar për gjithçka po bën, por në të njëjtën kohë Reali do të jetë skuadra e parë që arrin të fitojë dy trofe radhazi të formatit të ri të Champions-it. Jam i bindur”.
Në fund, në lidhje me Kristiano Ronaldon, ish-bomberi nënvizon: “Njerëzve u pëlqen shumë të flasin dhe të mendojnë se është një lojtar i mbaruar ose jo. Ndoshta nuk është ai i dy viteve më parë, por vazhdon të shënojë shumë, edhe në pozicionin e ri si numër 9. Do ta fitojë sërish ai ‘Topin e Artë’”.

Exit mobile version