Kuman dhe 5 blerje

Barcelona ka vendosur të nisë zbatimin e projektit për vitin e ardhshëm. E përditshmja katalanase “El Mundo Deportivo” ka bërë të ditur vendimin e drejtuesve sa u përket objektivave që kanë, duke nisur nga pankina dhe deri te lojtarët. Pasi janë përmendur shumë emra për të zëvendësuar Luis Enriken, i cili e ka zyrtarizuar largimin, duket se i përzgjedhuri është Ronald Kuman.
Holandezi është një njohës i shkëlqyer i klubit, pasi ka luajtur për gjashtë vite si futbollist dhe më pas ka qenë në stafin teknik për dy vite të tjera. Që nga ajo kohë, një karrierë mjaft të spikatur në stol, duke fituar trofe në kampionate të ndryshme si Holandë, Portugali, apo edhe Spanjë me Valencian.
Sivjet ka qenë i suksesshëm në krye të Evertonit dhe kjo i ka bindur më tepër krerët e Barçës që t’i ofrojnë një kontratë 54-vjeçarit. Kuman ka pasur fatin të drejtohet nga “profesorë” të spikatur kur ishte futbollist, mes të cilëve Johan Krujfi. Më vonë u bë ndihmës i Luis van Galit, kur ky i fundit u emërua në krye të pankinës katalanase, ku gjithashtu ia doli të fitojë trofe të rëndësishëm.
Gjithsesi, ai nuk do të vijë me statusin e një tekniku që do të mirëmbajë harmoninë brenda skuadrës aktuale, por do të shoqërohet me blerje të shumta. Saktësisht janë pesë futbollistë që janë shënjestruar dhe pritet të bëhen oferta të majme financiare për të bindur klubet respektive. Marko Verrati kryeson listën e dëshirave, duke qenë se është kërkuar edhe nga disa prej lojtarëve të ekipit si Andres Iniesta. Italiani do të marrë në dorë regjinë e lojës së spanjollëve.
Më tej, janë dy krahët e mbrojtjes, që këtë edicion kanë pasur jo pak probleme. Në të majtë do të jetë Teo Hernandez, që po shkëlqen me Alaveshin, por është në pronësi të Atletikos. Ai do të sfidojë Zhordi Albën për një vend titullari. Ndërsa në të djathtën synohet Hektor Bejerin i Arsenalit, i cili e ka gati vendin e titullarit, duke qenë se askush nuk ka arritur të blindojë këtë pozicion.
Dy lojtarët e tjerë janë Kutinjo, i cili do të jetë “xholi” në fushë, pasi mund të aktivizohet edhe në vendin e Iniestës, ashtu edhe në atë të Nejmarit. Kurse tjetri është Delofeu, për të cilin do të shfrytëzohet e drejta e parablerjes prej 12 milionë eurosh dhe do të shërbejë si një zëvendësues luksi, diçka që Luis Enrike e ka vuajtur këtë sezon, sepse alternativat e përdorura nuk kanë dhënë produktivitetin e pritur në fushë.

Exit mobile version