Juventusi përçahet për shkak të Pirlos

Situata tek Juventusi po përkeqësohet gjithnjë e më shumë, pasi raportohet për një zënkë mes drejtuesve të klubit për shkak të trajnerit Andrea Pirlo.

Mediat italiane raportojnë se, drejtori sportiv, Fabio Paratici, dhe zëvendëspresidenti Pavel Nedved, u fjalosën për shkak se Paratici kishte dashur ta shkarkojë trajnerin Andrea Pirlo, transmeton Gazeta Express.

Juventusi po përjeton sezonin më të keq në dekadën e fundit nën udhëheqjen e Pirlos dhe rrezikon të mbetet jashtë Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Dje Pirlo e mori  besimin e klubit për tri ndeshje e mbetura në Serie A këtë sezon, pasi drejtuesit e klubit u mblodhën për ta diskutuar të ardhmen e tij.

Nedvedi konfirmoi dje se Pirlo dhe Cristiano Ronaldo do të mbesin në Juventus.

La Gazzeta dello Sport raporton se, Paratici dhe Nedved ishin protagonistë të një fjalosjeje të zëshme në parkingun e Continassa.

Paratici kishte kërkuar që Pirlo të shkarkohej pas humbjes 3:0 kundër Milanit dhe ndihmësi i tij, Igor Tudor, ta merrte drejtimin e skuadrës deri në fund të sezonit.

Por Nedved kishte mendim ndryshe dhe ishte përkrahur edhe nga drejtuesit e tjerë, përfshirë presidentin Andrea Agnelli.

Exit mobile version