Nga Klarisa REXHVELAJ
Që nga gjeneza jemi projektuar për të qenë të lirë, jemi rritur e ushqyer me vlerat e DEMOKRACISË. Me idealet demokratike, bazat e forta, besimi në zot, familja, e drejta e pronës, e drejta e mendimit të lirë…
Sot që çdo parim rrezikohet, ku te gjithë po ndeshemi me diktaturën një Parlamenti Kriminelesh e njerëzish pavlera morale, na lind detyra të jemi rinia e ndryshimit, rinia e shpresës.
Kur vendi gjendet në udhëkryq të gjithëve na duhet të marrin në dorë fatet tona. Të japim nga vetja për një Shqipëri më të mirë, pa korrupsion dhe krim, për një vend ku meritokracia të jetë për çdo qytetar. E në këtë situatë të gjithëve na duhet të japim nga vetja. Të kapërcejmë mbi interesin individual, të japim kontributin tonë për vendi ynë të bëhet i begatë dhe ti bashkohet familjes së madhe Europiane.
Prandaj, unë bashkohem alternativës së Partisë Demokratike, partia që u themelua nga studentët e që sot mbahet fort nga qindra të rinj, si motori që gjeneron energjinë e vitalitetin e saj.
Protestat mbarë Kombëtare etiketohen si “Protestat e Opozitës” por në fakt janë protestat e popullit, pasi pa mandate figurat përfaqësuese të opozitës dhe populli janë shkrirë në një.
Sot jemi popull opozitarë që kërkojmë liri, demokraci, të drejta të barabarta.
Si një studente që po jetoj e studioj në Shqipëri me lind detyra të kontribuoj për ndryshimin e një sistemi që po na shtyp çdo ditë. Me sytë e me ëndrrën e madhe për një Shqipëri si gjithë Europa zgjodha të jetoj në vendin tim. Zgjodha të qëndroj, të rezistoj, pasi po të ikim të gjithë, kush do na i ndreq pakënaqësitë?!
Faik Konica ka thënë:
“Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim”.
Ndaj sot na lind detyra ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa e jo të presim me sytë nga qielli.
Të ndryshojmë imazhin e shqiptarit “të egër” të pacivilizuar që na ka damkosur prej vitesh.
Ka ardhur koha të hapim një faqe të re për Shqipërinë ku të pasqyrohen vlerat e vërteta, dhe bukurit që ka si vend e si popull. Që shquhen për natyrën e bukur, mikpritës, bujar, zemërbardhë…
Ka ardhur koha që shqiptari të ndihet zot në shtëpinë e tij, e jo te iki me trastën mbi shpinë nga pamundësia, nga skamja e mjerimi, thjeshtë për një kore buke… Ka ardhur koha për ndryshim!
“E dua Shqipërinë si gjithë Europa!”