“Ka qenë gjatë viteve të para të luftës, më i njohur se Enver Hoxha dhe ndoshta një nga arsyet e mllefit…”/ Shkrimi i panjohur i shkrimtarit të famshëm për ushtarakun e burgosur

Familja gjirokastrite e Kadareve, nuk është e njohur vetëm për shkrimtarin me famë botërore Ismail Kadarenë. Në dhjetëvjeçarin e dytë të këtij shekulli, njëra nga degët e këtij fisi, ajo e familjes së Sadik Kadaresë, do ta bëhej e njohur, sidomos gjatë Luftës Antifashiste dhe në vitet e para të pas çlirimit, me ushtarakun Tahir Kadareja, gjeneral i dimensioneve operativo-strategjike, intelektual me horizont gjitharmësh të kompletuar, i njohur për bindjet e tij kundra regjimit monist diktatorial. Kadaretë kanë dalluar, jo vetëm për atdhetarizmin dhe ndjenjën e përkushtimit ndaj çështjes së lirisë dhe të Shqipërisë, por edhe për kulturën dhe talentin e tyre të veçantë.

Kush ishte Tahir Kadare?

Tahir Kadareja lindi më 28.11.1913 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Arsimin fillestar e mori në qytetin e lindjes, po ashtu edhe atë të mesëm. Pas kësaj vjen në Tiranë, ku hyn në Shkollën e Oficerëve, të cilën e përfundoi në gusht të 1931-shit, në degën e artilerisë, si oficer me gradë aspirant. Pas vitit 1933, Tahir Kadareja fitoi gradën nëntoger.

Fillimisht caktohet me punë pranë Komandës së Artilerisë së Ushtrisë, ku shërbeu deri në vitin 1935. Duke qenë njeri përparimtar dhe me kërkesa ndaj vetes dhe regjimit, si njeri që kërkonte ecjen përpara të vendit me hapat e kohës, ai shpejt bëhet kundërshtar i regjimit shtetëror dhe, për rrjedhojë, edhe pjesëtar aktiv i lëvizjes anti-monarkiste të Fierit (1935), të cilën e udhëhiqte koloneli shumë i njohur në historinë e Ushtrisë dhe të Shqipërisë, Ali Shefqeti (Shkupi).

Meqenëse kjo lëvizje shpejt u shtyp nga regjimi në fuqi, Kadareja, së bashku me disa ushtarakë të tjerë pjesëmarrës në të, burgoset dhe më pas internohet në Tepelenë. Për pasojë, humbet të drejtën e gradës dhe përjashtohet nga Ushtria, me Dekretin shtetëror të datës 12.11.1937, së bashku me Dali Ndreun dhe Bedri Spahiun.

Por, për të mos iu nënshtrua kësaj gjendjeje ai, tok me Mustafa Matohitin (“Hero i Popullit”, dëshmor i Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare), edhe ky me karrierë në Ushtrinë Mbretërore Shqiptare të kësaj periudhe, arratisen në Greqi. Në prill të 1939-s, Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë dhe në vend, si kundër reaksion, lindi Lëvizja Antifashiste.

Një nga ish-ushtarakët e parë që u përfshi në këtë lëvizje kombëtare dhe që ndihmoi ndjeshëm për rritjen dhe fuqizimin, për konkretizimin e saj me formacione dhe veprimtari luftarake kundër pushtuesit të huaj në Qarkun e Gjirokastrës, ishte pikërisht Tahir Kadareja. Ai u mor me përgatitjen e luftës dhe të formacioneve luftarake, që nga më të voglat deri te më të mëdhatë, duke u bërë kështu një nga drejtuesit më të njohur dhe më kryesorë në qark dhe në tërë Jugun e Shqipërisë.

Pas gjithë kësaj veprimtarie të tij, nisin të spikatin edhe kultura e aftësitë ushtarake, talenti si drejtues dhe organizator i shquar, gjakftohtësia, shpirti luftarak dhe humanizmi, guximi dhe besnikëria ndaj idealit të cilit i ishte përkushtuar dhe për të cilin luftonte.

Me atë buzëqeshjen e qetë dhe shikimin e vëmendshëm, që shprehte thellësinë dhe sinqeritetin e shpirtit dhe të botës së tij të brendshme, Tahir Kadareja, rrezatonte njëherësh besim dhe miqësi për shokët dhe bashkëpunëtorët e tij, duke ua lehtësuar realizimin e detyrave të vështira e plot rreziqe të luftës.

Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë, sapo formohet formacioni i parë i madh, Brigada I-rë Sulmuese, Tahir Kadaresë i besohet një detyrë e rëndësishme në drejtimin e brigadës, zëvendëskomandant i saj. Këtu Tahiri shpalosi cilësitë drejtuese si ushtarak i mirëfilltë, për drejtimin e veprimeve luftarake të këtij formacioni të shquar të UNÇSh-së.

Për këto cilësi, menjëherë pas krijimit të Brigadës VI-të Sulmuese (janar 1944), caktohet nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSh-së, komandant i saj. Ai e drejtoi brigadën në valën e luftimeve të ashpra dhe të fitoreve kundër pushtuesve nazistë, luftime të njohura në historinë e UNÇSh-së dhe të popullit tonë.

Veçohen e spikasin mes tyre veçanërisht veprimet gjatë Operacionit të Dimrit 1943-1944, si dhe në Operacionin nazist të Qershorit 1944. Por nuk harrohen kurrsesi edhe veprimet e ashpra e të përgjakshme në Labinot, Pukë e, deri në Vishegrad të ish-Jugosllavisë. Në to dhe në shumë veprime të tjera luftarake, Tahir Kadareja udhëhoqi me aftësi luftarake dhe me fantazi në krye të Shtabit të Brigadës. Për rrjedhojë, ai pati një karrierë të shpejtë.

Sapo krijohet Divizioni II-të Sulmues (4.8.1944), përsëri Tahirit i besohet komanda e divizionit, ndërsa më 18 nëntor të këtij viti, ngarkohet komandant i Korparmatës së Dytë, që ishte formacioni i dytë më i madh i Ushtrisë NÇSh. Kaq i vërtetë dhe real është ky vlerësim për aftësitë e tij, sa që e vërtetojnë edhe vetë nazistët, në një dokument sekret të fundvitit 1943, që vlerëson e kategorizon grupet e rezistencës antifashiste në Shqipëri.

Në të shkruhej se; “Bedri Spahiu dhe Tahir Kadareja, ishin mjaft të aftë”, natyrisht që nënkuptohet ushtarakisht. Çlirimi i Shqipërisë e vuri Kadarenë përballë një të ardhmeje dhe punësh të reja. Ky ishte një kapitull i ri, por me mjaft sfida. Pak kohë pas çlirimit të vendit, ai dërgohet me studime të larta në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” në Moskë, të cilën e përfundon me rezultate të shkëlqyera.

Për këtë dhe aftësitë që zotëronte, si dhe për arritjet gjatë Luftës Antifashiste, u caktua me detyra deri në postin e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm, të Ushtrisë Shqiptare. Më 1949-ën, Tahir Kadareja fiton gradën gjeneral-major dhe më pas caktohet në krye të Komandës së Artilerisë të Ushtrisë Shqiptare.

Arritjet ishin të merituara, ato vinin vetëm falë cilësive, aftësive profesionale, karakterit të tij të fortë, dinjitetit dhe autoritetit që gëzonte mes eprorëve te vartësit dhe te populli. Veçanërisht ai respektonte mendimet dhe oponencën e vartësve të tij, për çdo problem që lidhej me punën. Nën gradat e gjeneralit, Kadareja fshihte një numër vlerash, të cilat ia njihnin dhe i respektonin shokët dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ata e çmonin shumë, teksa shpreheshin se ai ishte një ndër udhëheqësit më të përgatitur, më të ndershëm dhe më të shquar ushtarakë të Luftës Antifashiste. Pas luftës ,Tahir Kadareja u vlerësua si një nga ushtarakët më të përgatitur, veçanërisht në lëmin e artilerisë, që ndikoi dhe ndihmoi ndjeshëm në organizimin, fuqizimin dhe modernizimin e saj.

Porse gjeneral Kadareja, kishte edhe një vlerë të veçantë, por; të “keqe për të mëdhenjtë”. Duke u shquar për karakterin e tij të qëndrueshëm, i drejtë, me plot arritje dhe mjaft i aftë në punën e tij, parapëlqente t’i shpaloste hapur mendimet.

Kjo shumëkujt atje lart, nuk i pëlqente. Emri dhe reputacioni i arritur gjatë luftës, niveli i detyrave dhe gradat, por sidomos fjala e tij e hapur dhe e vërtetë, pikëpamjet e tij shpesh me kah të kundërt, nga ato të udhëheqjes së lartë partiake ose shtetërore të kohës, nuk shiheshin me sy të mirë.

Këtë shenjë xhelozie e urrejtjeje, si dhe thelbin se nga buronte ajo çka vërehej në këto instanca, e zbulon edhe shkrimtari Ismail Kadare, në një nga botimet e tij (1992, në Francë, ku ndër të tjera shkruan se: “Gjeneral Tahir Kadareja, ka qenë gjatë viteve të para të luftës, më i njohur se Enver Hoxha dhe ndoshta një nga arsyet e mllefit të paqartë të këtij të fundit ndaj tij, ka qenë thjesht ndjenja e zilisë, për njëfarë legjende që ende vazhdonte për të, midis partizanëve të vjetër”.

Këtu sigurisht kishte të vërteta të mbuluara me mister, që u bënë më të dukshme dhe shpërthyen hapur në Konferencën e Tiranës (l956), tashmë të njohur për veprimtarinë e ashtuquajtur shkatërruese të saj. Aty ai u godit ashpër, krahas disa ushtarakëve të lartë, për mendimet që shpalli haptas ndaj udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit të asaj kohe.

Ato ishin akuza, prandaj pas kësaj nisi menjëherë kalvari i vuajtjeve për të dhe për gjithë familjen e Kadareve. Së pari, erdhën transferimet, më pas izolimi dhe lirimi nga ushtria dhe, natyrisht përjashtimi nga radhët e partisë.

Kalojnë me radhë internimi në Kuçovë e pastaj, si një asket të shkretë, e mbyllin në Zvërnec, ku edhe e burgosin. Kaq i mbyllur, gati hermetik, dhe i frikshëm jo vetëm nga shokët e miqtë, por edhe nga njerëzit e afërt, sa këta e kishin të pamundur ta takonin.

Nga koha e adoleshencës, kujtoj një episod, kur isha nxënës në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe nëna ime donte t’i bënte një vizitë kortezie, një gruaje që ishte e afërt e tij dhe që lëngonte nga një sëmundje e rëndë. Kaq e fshehtë dhe e maskuar u bë ajo vizitë, saqë nëna nuk guxoi t’i thoshte as babait dhe as dajës tim.

Në vitin 1962, ende pa mbushur të pesëdhjetat, më në fund zemra e ish- komandantit trim, e një prej drejtuesve më të njohur të Luftës Antifashiste dhe të formacioneve më të mëdha të UNÇSh-së, e gjeneralit dhe ushtarakut nga më të aftët dhe me shpirt krijues, e artiljerit të shquar e të talentuar, pushoi së rrahuri. Askush nga shokët dhe miqtë, por edhe të afërmit, nuk mundën ta përcillnin në banesën e fundit!

E si mund të bëhej një gjë e tillë, kur çdokush dhe çdo veprim ishin nën kontroll! Megjithëkëtë, me gjithë murin e izolimit, ata ruanin imazhin e komandantit e të luftëtarit, të gjeneralit, të shokut të mirë e të eprorit të dashur, korrekt dhe të ndershëm, të atdhetarit demokrat deri në përkushtim. Për ta, Tahir Kadareja, kishte qenë dhe mbetej njeriu dhe ushtaraku me përmasat e një personaliteti, pjesë e historisë ushtarake shqiptare. Memorie.al

Nga Vangjel Kasapi

Exit mobile version