Kaceres një vit pa luajtur te Milani

Ish-mbrojtësi i Juventusit, Martin Kaceres, gjendet në Itali ku pritet të nënshkruajë me Milanin. Por mbrojtësi duhet të kalojë më parë një sërë testesh fizike të stërzgjatura me kuqezinjtë, të cilët kanë dyshim për aftësitë e tij fizike.
Futbollisti nuk luan prej një viti, pasi më 3 shkurt 2016 dëmtoi tendinën dhe që atëherë mbeti jashtë fushave të lojës me skuadrën e Juventusit, nga e cila u shkëput në fund të sezonit.
Kaceres nuk u aktivizua me asnjë klub në pjesën e parë të sezonit, ndaj për të parashikohet që testet mjekësore para firmës në kontratën me kuqezinjtë do të jenë shumë më të hollësishme se ato që kryejnë normalisht futbollistët e tjerë. Përveç vizitave rutinë, lojtarit do t’i bëhet një kontroll i detajuar i strukturës fizike, për të shmangur mundësinë që të nënshkruajnë me një futbollist, i cili ka tendencë të dëmtohet.
Sipas mediave italiane, akordi me Kaceres do të jetë deri në fund të sezonit, periudhë për të cilën mbrojtësi do të paguhet 400 mijë euro.

Exit mobile version