“Kalorësi i Ultimatumit” – patrioti Mehmet Selimi

Nga Myzafer Elezi

Të nderuar qytetarë,

Sot kam paraqitur në Bashkinë Vlorë një propozim zyrtar për vendosjen e bustit të patriotit Mehmet Selim Shahaj (Mallkeqi) në një nga hapësirat më përfaqësuese të qytetit tonë – në sheshin përpara godinës së Bashkisë Vlorë. Ky propozim pritet të miratohet nga Këshilli Bashkiak.

Ky akt simbolik dhe historik vjen si një detyrim moral ndaj një prej figurave më të ndritura të qytetit dhe të kombit. Mehmet Selimi ishte ndër protagonistët kryesorë të Luftës së Vlorës më 1920, ku në emër të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare i dorëzoi komandantit italian Piacentini ultimatumin për t’u larguar nga territori shqiptar – një moment kyç që parapriu çlirimin e Vlorës nga pushtimi i huaj.

Vendosja e bustit të tij në zemër të qytetit, para Bashkisë, nuk është vetëm një gjest simbolik, por një akt i domosdoshëm për ruajtjen e kujtesës historike, nderimin e figurave që i kanë shërbyer kombit me dinjitet, dhe për frymëzimin e brezave të rinj nëpërmjet vlerave të atdhedashurisë dhe qëndresës.

Ky propozim është hartuar në përputhje me legjislacionin përkatës dhe është menduar të realizohet në bashkëpunim me institucionet e trashëgimisë kulturore dhe me përfshirjen e komunitetit lokal.

Ftoj të gjithë qytetarët e Vlorës, shoqatat atdhetare dhe strukturat e shoqërisë civile të mbështesin këtë nismë që i jep nder jo vetëm figurës së Mehmet Selimit, por edhe vetë qytetit tonë, i cili ka qenë gjithnjë në ballë të lëvizjeve kombëtare dhe progresiste.

Vlora nuk harron! Vlora nderon!

Me respekt,

Myzafer Elezi
Nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Vlorës

Exit mobile version