Policia e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar një sasi droge që ishte futur me kamion nga Shqipëria. Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni informon se, ka kapur sasi të drogës në vlerë rreth 200 mijë euro duke ndërprerë kështu një kanal ndërkombëtar për transport të drogës.
Siç informon zëdhënesi i MPB-së, Toni Angellovski, Sektori policor në Prilep, drogën e ka kapur në orën 01 pas mesnate, ndërsa për destinacion ka pasur Greqinë.
“Në rrugën rajonale Prilep-Gradsko, është ndaluar kamion i tipit “Man” me targa shqiptare që po drejtohej nga personi B.J (40), shtetas i R. Shqipërisë. Gjatë kontrollit, shtetasi shqiptar zyrtarëve policor u ka ofruar para që ata të mos kryenin kontroll të shoferit dhe mjetit transportues.
Policët kanë kryer kontroll, pas së cilës janë gjetur dy valixhe të mëdha ku ishin vendosur 50 pako me marihuanë në peshë totale rreth 50 kilogram. Përllogaritja e vlerës së drogës është rreth 200 mijë euro. Shoferi është privuar nga liria dhe gjatë ditës me kallëzim penal do të dorëzohet në Prokurorinë Themelore të Prilepit”, informon Angellovski.