Nga Myzafer Elezi
Nëse më 11 maj 2025, qytetarët e qarkut Vlorë më japin besimin për të përfaqësuar interesat e tyr në Kuvendin e Shqipërisë, sfidat që më presin nuk janë të lehta, por janë të domosdoshme për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë.
1. Rendi dhe siguria, themeli i një shteti funksional
Shqipëria ka nevojë për një rikthim të autoritetit të ligjit dhe për forcimin e institucioneve të sigurisë. Si deputet, angazhimi im do të jetë në kërkesën për reformimin e thellë të policisë, bashkëpunim të fortë me prokurorinë dhe agjencitë ligjzbatuese, si dhe forcimin e mekanizmave që mbrojnë sigurinë e qytetarëve.
2. Lufta kundër krimit, korrupsionit dhe keqqeverisjes, pa mëshirë dhe pa kompromis
Nuk ka më kohë për tolerancë ndaj atyre që kanë përdorur pushtetin për përfitime personale. Unë do të mbështes pa rezerva hetimet ndaj çdo zyrtari të dyshuar për korrupsion dhe do të kërkoj transparencë të plotë në çdo vendimmarrje publike.
3. Mbështetje pa kushte për SPAK dhe GJKKO
Këto institucione janë shpresa e vetme për pastrimin e shtetit nga krimi dhe korrupsioni. Si deputet, do të garantoj jo vetëm financimin e duhur, por edhe mbrojtjen e pavarësisë së tyre nga çdo ndërhyrje politike.
4. Vetting për politikanët dhe të zgjedhurit vendorë dhe qendrorë
Siç u vetuan gjyqtarët dhe prokurorët, është koha që të njëjtat standarde të zbatohen edhe për politikanët. Askush që nuk justifikon pasurinë dhe integritetin e tij nuk duhet të mbajë poste publike.
5. Kthimi i pronave dhe kompensimi i drejtë për pronarët legjitimë
Mijëra qytetarë janë lënë padrejtësisht pa prona. Do të kërkoj një reformë të shpejtë dhe transparente për rikthimin e pronave dhe një proces kompensimi të drejtë, të mbështetur nga buxheti i shtetit.
6. Mbështetje për fermerët, – baza e ekonomisë kombëtare
Fermat shqiptare janë shpesh të varura nga ndihma shtetërore. Do të angazhohem për subvencione më të mëdha, uljen e taksave dhe mundësi të drejtpërdrejta për t’u lidhur me tregjet e BE-së.
7. Lehtësira për biznesin e ndershëm
Është koha të heqim burokracinë dhe tatimet abuzive që i mbytin bizneset e vogla dhe të mesme. Do të angazhohem për një sistem ligjor që mbështet sipërmarrjen dhe krijon një klimë konkurruese të drejtë dhe të barabartë.
8. Turizmi dhe bujqësia, dy motorët e zhvillimit të qarkut të Vlorës
Qarku i Vlorës ka potencial të jashtëzakonshëm në turizëm dhe bujqësi. Sfida ime do të jetë të sjell investime publike në infrastrukturë, marketing turistik, ujitje dhe modernizim të bujqësisë.
9. Drejtësi për ish-të përndjekurit politik
Pajtim kombëtar nuk mund të ndodhë pa drejtësi për ata që vuajtën në burgjet dhe internimet e diktaturës. Si deputet, do të kërkoj dëmshpërblim të plotë dhe të shpejtë për ish-të përndjekurit, rikthimin e pronave të tyre dhe respekt institucional për historinë dhe dinjitetin e tyre.
Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen, pa respektuar të vërtetën e së shkuarës.
10. Integrimi i Shqipërisë në BE.
Ky është një objektiv i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë. Integrimi në BE do të sigurojë zhvillim ekonomik, mundësi për qytetarët dhe forcimin e demokracisë. Si deputet, do të angazhohem për një politikë të jashtme aktive që mbështet procesin e anëtarësimit.
Fjalët e mia janë zotim.
Unë nuk i përkas klasës së vjetër politike që e ka parë mandatin si një privilegj personal. Unë besoj në politikën si shërbim për qytetarët.
Nëse më besoni, do të jem zëri juaj në Kuvend dhe përfaqësuesi i interesave tuaja, jo i interesave të grupeve të caktuara.
Ju faleminderit për besimin tuaj,
Myzafer Elezi,
Kandidat për deputet në qarkun e Vlorës
#KoalicioniEuroatlantik
#Nr.4