Orjola Pampuri kërkon fundin e pandëshkueshmërisë si kusht për integrimin europian

Kandidatja për deputete në qarkun e Tiranës, Orjola Pampuri, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke kërkuar me forcë një kthesë të qartë në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. Në fokus të deklaratës së saj është vendosja e drejtësisë së vërtetë dhe lufta pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si kusht për hapjen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian.

“Integrimi europian duhet të shënojë fundin e pandëshkueshmërisë. Ky proces nuk mund të ecë përpara pa vendosur një fund të qartë ndaj kulturës së të paprekshmëve,” shkruan Pampuri, duke i bërë thirrje institucioneve shqiptare për më shumë përgjegjësi dhe transparencë.

Ajo thekson se nuk mund të ketë drejtësi të mirëfilltë pa e ndarë përfundimisht drejtësinë nga ndikimi i politikës. “Kultura e projektimit të drejtësisë nga politika, dhe kontrollit të saj ndaj sistemit të drejtësisë, duhet të marrë fund” vijon postimi.

Sipas Pampurit, themelet e një shteti me vlera europiane nuk ndërtohen mbi kompromise politike, por mbi drejtësinë e pavarur dhe institucione të besueshme. “Para se të hapë kapitujt e integrimit, vendi duhet të tregojë përkushtim të vërtetë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” shton ajo.

Pampuri hedh akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit aktual Edi Rama dhe qeverisë së tij, duke i cilësuar si të dështuar dhe të papërshtatshëm për të udhëhequr procesin e integrimit. “Edi Rama nuk mund të premtojë më asgjë, me shokët tek 313 dhe me 12 vite dështim në qeverisje, mbi shpinë,” thuhet në reagimin e saj.

Ajo e mbyll mesazhin me thirrjen për ndryshim dhe përkrahje për Koalicionin Euroatlantik:
“Shqiptarët janë të lodhur nga premtimet boshe, nga të njëjtat figura. Riciklimi i tranzicionit nuk është zgjidhja. #ShqipëriaMeritonMëShumë. Voto 4. #VotoOrjolaPampuri”.

Fushata zgjedhore vijon të intensifikohet, ndërsa theksohet gjithnjë e më shumë rëndësia e reformës në drejtësi dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian si pika kyçe për të ardhmen e Shqipërisë.

Exit mobile version