Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik Taulanda Jupi: Jam në listë të hapur sepse dua të jem përfaqësuese e qytetarit

Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik për qarkun e Tiranës, Taulanda Jupi ishte sot e ftuar e gazetares Bruna Çifligu në televizionin A2CNN. Pedagogja Jupi u shpreh se kishte vendosur të kandidonte në zgjedhjet e 11 majit sepse nuk mund të rrinte duarkryq ndërkohë që vendi ka nevojë për një alternativë politike të qenësishme. Qytetarët – u shpreh Taulanda Jupi – janë në një kurth ndërmjet Ramës dhe Berishës dhe “unë besoj se qytetarët duhet të dalin nga ky kurth dhe duhet të kenë alternativa” për këtë.

E pyetur nga gazetarja Çifligu se cila ishte alternativa e grupimit politik Koalicionit Euroatlantik, Jupi që kandidon në listën e hapur në Tiranë theksoi se koalicioni të cilit ajo i përket “do të sigurojë atë qëndrim që kemi ndarë gjithmonë me shumicën e qytetarëve që e vlerësojnë punën SPAKUT dhe dëshirojnë të shikojnë rezultatet në drejtësinë e re”.

Jupi e përshkroi punën e organeve të drejtësisë së reformuar si fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë. Fundi i pandëshkueshmërisë për kandidaten e Koalicionit Euroatlantik nënkupton fundin e tranzicionit në një nga shtyllat kryesore të shtetit që është drejtësia. Fundi i tranzicionit – u shpreh Jupi – mund të vijë vetëm nëse shtyllat kryesore nisin të ndahen nga trashëgimia problematike e 34 viteve.

Sipas Jupit, SPAK dhe drejtësia e reformuar po e bëjnë këtë ndarje në shtyllën e drejtësisë dhe është koha që ndarja nga tranzicioni të ndodhë edhe në politikë. Hyrja në garën e 11 majit me lista të hapura është hapi i parë që Koalicioni Euroatlantik ka ndërmarrë në këtë drejtim.

Unë dua të jem deputete e qytetarëve, jo e kryetarit – deklaroi kandidatja Taulanda Jupi. Gjithashtu, ajo theksoi se 11 maji është mundësia e artë për qytetarët që të bëjnë vetingun e mohuar në politikë. Kjo ësht ëhera e parë, u shpreh Jupi, që qytetarët, jo Rama apo Berisha, mund të përcaktojnë Kuvendin e Shqipërisë nesër.

Gazetarja Çifligu u interesua edhe për programin e Koalicionit Euroatlantik. Jupi, që kandidon në radhët e këtij koalicioni në qarkun e Tiranës, pohoi se programi i publikuar në 1 qershor 2024 mbetet programi zyrtar i demokratëve euro-atlantikë.

Gjithashtu, ajo ndau një detaj të rëndësishëm të angazhimit të saj duke u shprehur se ajo do të propozonte politika konkrete sa i përket fuqizimit të gruas, mbështetjes së kulturës e sportit, si dhe promovimit dhe shtimit të mundësive për të rinjtë.

Jupi u bëri thirrje të gjithë subjekteve të reja politike të tejkalojnë egon personale dhe të bashkohen për të parandaluar planet e Ramës dhe Berishës të shkrijnë SPAK-un. Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik në Tiranë kujtoi bashkimin e votave ndërmjet Ramës dhe Berishës për një numër interesash personale, edhe në kurriz të interesit publik.

Qytetarët duhet të lexojnë qartë kërcënimet që Rama dhe Berisha kanë bërë ndaj SPAK-ut – u shpreh Jupi. – Ajo është një këmbanë alarmi për çfarë mund të ndodhë nesër në Parlamentin e ardhshëm nëse ata të dy do të kenë mundësi të ndryshojnë Kushtetutën.

Exit mobile version