Shënim/ Që Berisha dhe Rama të mos mundin SPAK-un më 11 Maj

Ka vetëm një rrugë që drejtësia dhe SPAK-u të vijojnë punën e nisur edhe pas 11 Majit: Të mos lejohen Berisha dhe Rama të bëjnë votat e duhura për ta vënë nën presion, për ta intimiduar, për ta kontrolluar apo për ta zhbërë. Mënyrë tjetër nuk ka.

Kjo nuk është vetëm një çështje ligjore, por një betejë për të ardhmen e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. Nëse lejohet që dy figurat e vjetra të politikës shqiptare të manipulojnë procesin dhe të ndikojnë në funksionimin e institucioneve të drejtësisë, atëherë do të kemi një kthim pas në 34 vitet e fundit, ku të gjithë ishin të barabartë, por disa ishin “më të barabartë” se të tjerët.

SPAK-u dhe reforma në drejtësi janë arritjet më të rëndësishme në përballjen me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë e politikanëve. Por, këto arritje janë të brishta dhe mund të rrezikohen nëse klasa politike arrin të vendosë kontroll mbi këto institucione. Për të garantuar vazhdimësinë e pavarësisë së drejtësisë, është thelbësore që qytetarët, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë të jenë vigjilentë dhe të mos lejojnë që proceset demokratike të kthehen në instrumente të kontrollit politik.

11 Maji nuk duhet të shënojë një kthesë për keq, por një moment kyç për të siguruar që SPAK-u të vazhdojë punën pa frikë dhe pa ndikime politike. Shqiptarët nuk mund të pranojnë një rikthim të kulturës së pandëshkueshmërisë. Koha për një drejtësi të vërtetë dhe të barabartë për të gjithë ka ardhur./ Namir Lapardhaja

Exit mobile version