Kapet gjysëm ton drogë nga Shqipëria në Greqi

500 kg drogë janë sekuestruar dje në Greqi në dy operacione të ndryshme. Bëhet e ditur se 370 kg kanabis sativa e nisur me një kamion nga Shqipëria u sekuestrua në Portin e Patrës. Sipas Rojes Bregdetare greke, droga ishte vendosur në tavanin e një kamioni me targa greke, që do të nisej nga Porti i Patrës me destinacion Italinë. Autoritetet thanë se kanë arrestuar drejtuesin e kamionit, një 62-vjeçar. Sipas informacioneve të publikuara prej autoriteteve, lënda narkotike ishte ngarkuar prej një organizate shqiptare të trafikimit të narkotikëve dhe destinacioni i saj final ishte Holanda. Në kërkim janë shpallur disa anëtarë të organizatës së trafikimit të narkotikëve, grekë dhe shqiptarë. Kamioni u sekuestrua, ndërsa shoferi 62-vjeçar do të dërgohet për masë sigurie në Gjykatën e Patrës.
Po ditën e djeshme, policia greke sekuestroi 125 kg marijunë në Igumenicë. Policia greke ka ndjekur një mjet që vinte nga kufiri me Shqipërinë në Igumenicë pas dyshimeve se mund të kishte drogë. Burimet konfirmojnë se pas kontrollit në mjet rezultoi se shoferi grek udhëtonte me 30 pako drogë, ose 125 kg marijuanë, që e kishte siguruar në Shqipëri.
Policia ka arrestuar menjëherë drejtuesin e mjetit, një grek 40-vjeçar, ndërsa identiteti i tij nuk bëhet i ditur. Po ashtu bëhet me dije se është ndaluar dhe një mjet i dytë që shërbente për kontrollin e rrugës dhe drejtuesi grek i të cilit u arrestua gjithashtu.
Një ditë më parë, Policia e Selanikut sekuestroi drogë dhe armë të futur nga Shqipëria si dhe vuri në pranga një 23-vjeçar shqiptar. Sipas medias së vendit fqinj, Policia sekuestroi mbi 6 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Krahas lëndës narkotike, shqiptari mbante në makinën e tij edhe municione, kallashnikovë, pistoleta dhe granatë. Lëndën narkotike, shqiptari e kishte fshehur në gomën e automjetit.
Policia greke e konsideron shqiptarin si kreun e një bande që merrej me trafikun e sasive të mëdha të kanabisit brenda territorit grek. Hetimet kanë zbuluar se ai kishte rolin kryesor në marrjen, zotërimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e drogës. Përveç lëndës narkotike dhe armëve, policia ka sekuestruar edhe telefonat celularë, automjetin e përdorur për transportin e drogës, 120 euro. Dosja për të riun është dërguar pranë Prokurorisë së Selanikut.

Exit mobile version