Një shtetas shqiptar është arrestuar në rrethinat e Kosturit, për futjen e një sasie droge nga Shqipëria në Greqi. 31-vjeçari u arrestua në momentin që po përpiqej të fshihte dy thasë të mëdhenj.
Atëherë ndërhyri policia dhe në të dy thasët u gjet një sasi kanabisi me peshë 59,9 kilogramë. Kanabisi ishte ambalazhuar në 55 paketa. Sipas Policisë së Verias që ndërmori aksionin, ai e kishte sjellë pak më parë drogën nga Shqipëria.
Nga verifikimi i të dhënave rezultoi se 31-vjeçari shqiptar ishte shpallur në kërkim për arratisje nga burgu. Më 18 korrik 2016, ai kishte dalë me leje disaditore nga burgu, ku vuante dënimin për vepra që lidhen me trafikun e drogës. Që nga ai moment, nuk u kthye më në burg, dhe policia po heton se ku ka qenë gjatë kësaj periudhe gati njëvjeçare.